Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, së bashku me
përfaqësues të sektorit të IT-së nga ministria, morën pjesë sot në seminarin ,,Digjitalizimi i
administratës publike – shkëmbimi i përvojave, praktikave të mira dhe mundësive për
bashkëpunim me Republikën e Çekisë”, i cili u mbajt në Sallën Ceremoniale të Qeverisë, në
organizim të Ministrisë së Transformimit Digjital.
Në seminar, ku u shkëmbyen përvoja ndërmjet institucioneve maqedonase dhe çeke, u theksua
rëndësia e transformimit digjital për krijimin e një administrate publike më të suksesshme, më
efikase dhe më të sigurt, si dhe për përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe
sektorin e biznesit.
Për Ministrinë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, digjitalizimi ka një rëndësi të
veçantë, pasi sistemi modern energjetik mbështetet gjithnjë e më shumë në teknologjitë
digjitale, sistemet e automatizuara, infrastrukturën inteligjente dhe të dhënat në kohë reale.
„Siguria energjetike sot nuk nënkupton vetëm prodhim të sigurt dhe furnizim të
qëndrueshëm me energji. Ajo nënkupton edhe sisteme digjitale të sigurta. Sa më shumë që i
digjitalizojmë rrjetet dhe infrastrukturën energjetike, aq më e rëndësishme bëhet mbrojtja e tyre
nga kërcënimet kibernetike. Prandaj, siguria kibernetike duhet të jetë pjesë integrale e
modernizimit të sektorit energjetik”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Në kushtet e tranzicionit të përshpejtuar energjetik, digjitalizimi mundëson menaxhim më të mirë
të sistemeve energjetike, monitorim më efikas të konsumit, optimizim të prodhimit dhe reagim në
kohë ndaj ndërprerjeve të mundshme.
Në të njëjtën kohë, rritja e ndërlidhjes digjitale sjell edhe rreziqe të reja, për shkak të të cilave
mbrojtja e infrastrukturës kritike energjetike, siguria e sistemeve të informacionit dhe
rezistenca e rrjeteve energjetike ndaj sulmeve kibernetike bëhen pjesë përbërëse e sigurisë
kombëtare energjetike.
Në këtë kontekst, në seminar u hap edhe tema e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm
ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës së Çekisë në fushën e sigurisë kibernetike, shkëmbimit të
njohurive dhe praktikave të mira, si dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.
Republika e Çekisë ka përvojë të konsiderueshme në transformimin digjital dhe sigurinë
kibernetike, gjë që përbën një mundësi shtesë për shkëmbimin e përvojave me institucionet
maqedonase dhe për avancimin e qëndrueshmërisë kombëtare të infrastrukturës kritike.

Ministrja Bozhinovska theksoi se Ministria vazhdon të punojë në digjitalizimin e proceseve,
modernizimin e sistemeve dhe forcimin e sigurisë kibernetike, me qëllim që sektori energjetik
të jetë i përgatitur për sfidat dhe rreziqet e reja teknologjike.
Seminari, në të cilin fjalime mbajtën ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski,
dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Çekisë, Petr
Macinka, shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e mundësive
të reja për bashkëpunim institucional ndërmjet dy vendeve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume