Janevska: Në dy vite në arsim janë investuar 70 milionë euro, për mësimin me një ndërrim po zgjerohen kapacitetet e 14 shkollave
Një nga kushtet bazë për arsim cilësor është të kemi infrastrukturë arsimore të mirë – shkolla të denja me kabinete të pajisura mirë, qasje në pajisje IT dhe internet të sigurt, si dhe objekte të përshtatura për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore. Ky është prioritet i Qeverisë aktuale dhe i ministrisë, dhe për dy vite kemi investuar 70 milionë euro në mbi 90 projekte infrastrukturore.
Këtë sot e theksoi ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare në Kuvend lidhur me atë se çfarë është bërë për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Maqedoni gjatë mandatit të Qeverisë aktuale.
„Vetëm përmes ministrisë kemi investuar 35 milionë euro në 7 objekte të reja shkollore, 4 salla të reja sportive, në rikonstruksionin e 30 objekteve ekzistuese shkollore dhe sportive, në rikonstruksionin e dy konvikteve studentore, ndërsa e zhbllokuam edhe ndërtimin e FINKI dhe FFK që padrejtësisht ishin ndalur. Shtesë, edhe Qeveria përmes dy thirrjeve për financimin e investimeve kapitale, u ndau komunave 35 milionë euro për realizimin e 55 projekteve“, tha Janevska.
Ajo kujtoi se për shkak të futjes së konceptit të mësimit me një turn po zgjerohen kapacitetet e 14 shkollave në Qendër, Karposh, Aerodrom, Gjorçe, Butel, Gazi Babë, Kisella Vodë, Ilinden dhe Gradsko, ndërsa edhe 15 projekte të tjera do të fillojnë gradualisht në muajt e ardhshëm.
„Do të ndërtojmë edhe 30 salla të reja sportive, ndërsa do të rikonstruktojmë konviktet e mbetura studentore shtetërore dhe gjashtë shkolla me qendra burimore. Mjetet janë tashmë të siguruara“, informoi ministrja, duke theksuar se lehtë krahasohen rezultatet e punës së Qeverisë aktuale të realizuara për dy vite me mos‑punën e atyre që ishin në pushtet në shtatë vitet e mëparshme, si dhe të atyre që kurrë nuk kanë pasur rast të udhëheqin me institucionet, por gjithmonë janë ndër kritikët më të zëshëm.