Dënimi me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse është një mundësi për risocializim të mirëfilltë, e jo privilegj i blerë për të fuqishmit, thekson Dimovska.

Sa u përket byzylykëve elektronikë të pashfrytëzuar për vuajtjen e dënimit me burg shtëpiak, ajo vlerëson se problemi nuk qëndron te gjykatat, por te kufizimet e rrepta ligjore dhe mungesa e rregulloreve të qarta që përcaktojnë se kujt mund t’i shqiptohet kjo masë.

Sistemi i vuajtjes së dënimeve ndodhet sërish në një ngërç. Opinioni publik kërkon luftë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, ndërsa burgjet tashmë nuk kanë më hapësirë të mjaftueshme. Burgu më i madh, Idrizova, është sërish i mbipopulluar.

Mbipopullimi do të ishte edhe më i madh po të mos ekzistonte probacioni. Aktualisht janë rreth 1.200 raste aktive të këtij lloji, ku numrin më të madh e përbëjnë personat e dënuar që e vuajnë dënimin në liri, nën mbikëqyrje. Megjithatë, përveç Gjykatës Themelore Penale në Shkup, gjykatat e tjera në vend kanë një numër modest të vendimeve të tilla.

A qëndron problemi te mungesa e gatishmërisë së gjyqtarëve apo te diçka tjetër? Për këto dilema përgjigjet Daniela Dimovska, kryetare e Gjykatës Themelore Penale në Shkup, e cila prin me numrin më të madh të vendimeve për masa alternative.

Përgjegjësi për gjykatën më të madhe, por edhe hapësirë për përparim në qytetet e tjera

Statistikat tregojnë se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka një numër dukshëm më të madh të vendimeve me masa alternative krahasuar me gjykatat e tjera në vend. Pothuajse shtatë nga dhjetë rastet për masa alternative janë shqyrtuar nga kjo gjykatë.

“Unë këtë fakt nuk e shoh vetëm si tregues, por edhe si përgjegjësi të Gjykatës Penale në Shkup, si gjykata më e madhe, për t’i zbatuar mekanizmat e rinj dhe bashkëkohorë të ekzekutimit të sanksioneve. Shkupi është qendra më e madhe gjyqësore, ku ndodhet edhe pjesa më e madhe e gjykatave, prandaj është e natyrshme që këto ndryshime të evidentohen dhe të zbatohen më shpejt.

Nuk do të thosha se probacioni nuk zbatohet edhe në qytetet e tjera, por sigurisht që ka hapësirë për përdorim më të madh të kësaj mase. Konsideroj se, me përmirësimin e sistemit të probacionit, raportet më cilësore të vlerësimit të rrezikut dhe rritjen e besimit të opinionit publik në këtë mekanizëm, kjo masë do të zbatohet gjithnjë e më shumë”, thotë Dimovska.

Kujdes, e jo mungesë e edukimit

Duke iu përgjigjur qëndrimit të pushtetit ekzekutiv se një pjesë e gjyqtarëve kanë mungesë të caktuar të edukimit ose frikë kur bëhet fjalë për masat alternative, Dimovska nuk pajtohet me këtë vlerësim. Sipas saj, gjyqtari duhet ta vlerësojë rrezikun në çdo rast veç e veç.

“Nuk do ta përgjithësoja në këtë mënyrë dhe konsideroj se nuk bëhet fjalë për mungesë të edukimit të gjyqtarëve. Duhet bërë dallim i qartë ndërmjet edukimit dhe kujdesit. Mendoj se bëhet fjalë për kujdes më të madh, sepse gjyqtarët, kur vendosin për këto lloj masash, i kushtojnë vëmendje rrezikut, dobësive dhe të gjithë elementëve të tjerë, përkatësisht nëse ekzistojnë mundësitë për shqiptimin e kësaj mase”, shprehet ajo.

Drejtësi apo privilegj? Opinioni publik duhet ta kuptojë se probacioni është dënim

Një nga problemet kryesore me të cilat përballen gjyqtarët është presioni i opinionit publik. Kur shqiptohet një dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse ose burg shtëpiak, qytetarët shpesh e perceptojnë këtë si mungesë ndëshkimi ose si privilegj për njerëzit e fuqishëm.

Dimovska thotë se frika nga opinioni publik nuk është vendimtare për gjyqtarët, por perceptimi i qytetarëve duhet të ndryshojë.

“Një pjesë e madhe e opinionit publik i sheh këto masa alternative si diçka që fitohet përmes lidhjeve. Të dënojnë, por në vend që të të dërgojnë në burg, të lënë të lëvizësh i lirë. Si e shpjegoni këtë perceptim?”

“E kuptoj dyshimin e një pjese të opinionit publik kur dëgjon se dikush ka kryer vepër penale, por në vend që të shkojë në burg, merr një masë alternative, duke menduar se bëhet fjalë për një privilegj.

Megjithatë, dua të përcjell një mesazh: probacioni nuk është privilegj apo dhuratë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë favor, por për një mënyrë të ekzekutimit të një dënimi.

Burgjet nuk duhet të jenë përgjigjja për çdo kriminel. Ajo që na nevojitet është që këta persona të rikthehen në sistem si individë të risocializuar. Pikërisht këtë synon probacioni: ekzekutimin e një dënimi sipas parimeve të caktuara dhe nën mbikëqyrje, ku qëllimi kryesor është risocializimi, përkatësisht rikthimi i personit në sistem”, thekson Dimovska.

Ajo u bën thirrje edhe familjarëve të personave të dënuar që të mos heshtin nëse vërejnë kërkesa korruptive për përfitimin e një mase të tillë.

“Vendimet gjyqësore nuk blihen. Një vendim i tillë do të vinte në dyshim jo vetëm vetë vendimin, por edhe besimin në të gjithë institucionin”, thotë ajo.

Burgu shtëpiak: boshllëqe ligjore dhe përkufizime të paqarta

Sa i përket burgut shtëpiak, drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, deklaroi për “360 Gradë” se ligji është tepër kufizues, pasi lejon burgun shtëpiak vetëm kur për veprën penale parashihet dënim me burg deri në pesë vjet dhe kur dënimi i shqiptuar është deri në tre vjet.

Dimovska konfirmon se pikërisht këto kufizime ligjore janë arsyeja pse Gjykata Themelore Penale në Shkup aktualisht nuk ka asnjë rast aktiv të burgut shtëpiak.

“Ligjvënësi ka paraparë disa masa alternative. Megjithatë, është e qartë se për disa prej tyre kemi një numër më të madh vendimesh, ndërsa për të tjerat shumë pak. A mendoni se problemi qëndron te gjyqtarët apo te legjislacioni?”

“Varet nga masa për të cilën bëhet fjalë. Por, nëse flasim, për shembull, për burgun shtëpiak, duhet të them se aktualisht Gjykata Themelore Penale në Shkup nuk ka asnjë vendim me këtë masë.

Arsyeja është se ligjvënësi ka paraparë që kjo masë të mund të shqiptohet vetëm për vepra penale për të cilat parashihet dënim me burg deri në pesë vjet, ndërsa dënimi i shqiptuar duhet të jetë më pak se tre vjet.

Megjithatë, veprat penale që trajton kjo gjykatë rrallë janë të kësaj natyre. Për ilustrim, te vepra penale e ‘pastrimit të parave’, dënimi i paraparë me burg është nga një deri në dhjetë vjet. Në një rast të tillë, kjo masë nuk mund të zbatohet”, shpjegon Dimovska.

Sipas saj, një problem shtesë është mungesa e rregulloreve të sakta. Kjo vlen, për shembull, për dispozitat e Kodit Penal që parashohin se burgu shtëpiak mund t’u lejohet vetëm “personave të moshuar dhe të dobët fizikisht”.

“Ju si gjyqtare, a e dini se cila është mosha që përcakton një person si të moshuar dhe çfarë nënkuptohet me shëndet të dëmtuar?”

“Kjo çështje komentohet shpesh dhe supozoj se Ministria e Drejtësisë është dashur të miratojë rregullore përkatëse. Ne nuk kemi ndonjë rregullore apo udhëzues për përcaktimin e këtyre kushteve.

Sa i përket dokumentacionit mjekësor, çështja është disi më e lehtë, sepse sigurohen raporte, ekspertiza dhe dokumente të ngjashme. Por përcaktimi se kush konsiderohet person i moshuar është vërtet çështje e diskutueshme”, përfundon Dimovska.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume