Ndeshja mes Rayo Vallecanos dhe Athletic Clubit u ndërpre të shtunën, pasi tifozët vendas hodhën aeroplanë prej letre dhe topa të vegjël gome në fushë, në shenjë proteste ndaj pronarit të klubit.

Ndeshja e La Ligës ishte e para e sezonit për Rayo Vallecanon në stadiumin “Estadio de Vallecas”, i cili ishte mbyllur përkohësisht pasi një auditim kishte evidentuar probleme serioze me shëndetin dhe sigurinë, përfshirë rrezikun e prekjes nga sëmundja e legjionarëve.

Tifozët e Rayos fajësojnë pronarin dhe presidentin Raul Martin Presa, i cili është kritikuar prej kohësh për mirëmbajtjen e dobët të objekteve dhe mungesën e modernizimit të klubit.

Në minutën e 13-të të ndeshjes, kur tifozët e Rayos zakonisht brohorasin “Presa, largohu tani”, përkrahësit hodhën në fushë aeroplanë prej letre dhe topa të vegjël gome.

Arbitri e ndërpreu lojën, ndërsa spikeri i stadiumit u bëri thirrje tifozëve që të mos hidhnin objekte në fushë. Ndërkohë, punonjësit e sigurisë u përpoqën t’i largonin me shpejtësi objektet nga bari.

Kur loja rifilloi, 15 minuta më vonë, tifozët në tribunën jugore hodhën sërish objekte në fushë dhe arbitri vendosi ta ndërpriste përfundimisht ndeshjen, kur rezultati ishte ende 0-0.

Pas ndeshjes, Athletic Club publikoi një komunikatë ku njoftoi se do të kontaktonte tifozët e vet që kishin udhëtuar drejt Madridit për të organizuar rimbursimin e biletave.

Sezonin e kaluar, Federata Spanjolle e Futbollit publikoi një letër të shkruar nga lojtarët e Rayos, në të cilën ata e përshkruanin fushën e Vallecasit si “të papërshtatshme për të luajtur” dhe theksonin mungesën e ujit të ngrohtë në dushe, si dhe pastrimin e pamjaftueshëm.

Ata e nisën sezonin e kaluar pa mundësinë për ta shfrytëzuar fushën e tyre stërvitore, për shkak të mykut.

Megjithatë, arritën deri në finalen e Ligës së Konferencës, ku humbën 1-0 nga Crystal Palace.

Tifozët shpesh detyrohen të presin me orë të tëra për të blerë bileta për ndeshjet në sportelin e vogël të stadiumit, pasi Rayo është klubi i vetëm në elitën e futbollit spanjoll që nuk ka faqe interneti për shitjen e biletave.

Rayo renditet në vendin e 13-të në La Liga, me dy fitore në shtatë ndeshjet e para të sezonit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume