Barcelona do të përballet nesër si mysafir me Real Betisin në stadiumin “Estadio de La Cartuja”, në kuadër të xhiros së nëntë të La Ligës për sezonin 2026/27.

Katalunasit janë skuadra me formën më të mirë në Evropë, pasi i kanë fituar të tetë ndeshjet e zhvilluara deri më tani në kampionat, si dhe dy ndeshje në Ligën e Kampionëve.

Dhe, para përballjes së nesërme me skuadrën e Manuel Pellegrinit në Sevilla, Barcelona është sërish favorite, falë bilancit të saj si mysafire ndaj “Verdiblancos”.

Në të vërtetë, nëse ekziston një stadium ku Barcelona ndihet rregullisht si në shtëpi, ai është stadiumi i Real Betisit.

Qoftë kur luante në “Ruiz de Lopera”, “Benito Villamarin” apo, së fundmi, në “La Cartuja”, gjiganti katalunas ka pasur vazhdimisht sukses në udhëtimet te klubi andaluzian.

Barcelona tashmë ka më shumë se 18 vjet pa pësuar humbje si mysafire ndaj Betisit, duke regjistruar 11 fitore dhe katër barazime, me 39 gola të shënuar dhe vetëm 21 të pranuar gjatë kësaj periudhe.

Për ta gjetur humbjen e fundit ndaj Betisit në Sevilla, duhet të kthehemi më 29 mars 2008. Në atë ndeshje, Verdiblancos përmbysën disavantazhin prej dy golash dhe fituan 3-2.

Që nga ajo kohë, Barcelona ka pasur një seri të jashtëzakonshme rezultatesh në udhëtimet te Real Betisi, përfshirë fitore bindëse si ajo 5-0 në sezonin 2017/18 dhe triumfi 4-1 në sezonin 2013/14.

Nën drejtimin e Flickut, Barcelona e ka ruajtur bilancin e fortë si mysafire ndaj Real Betisit.

Trajneri gjerman ka regjistruar një fitore, atë spektakolare 5-3 në sezonin e kaluar, dhe një barazim 2-2 gjatë sezonit të tij të parë në krye të skuadrës.

Interesant është fakti se Blaugrana e ka pasur më të vështirë në ndeshjet si vendase kundër Betisit.

Para pesë sezonesh, kur skuadra drejtohej nga Xavi, katalunasit pësuan humbje 1-0. Ata humbën gjithashtu 4-3 në shtëpi gjatë sezonit 2018/19.

Pavarësisht këtyre disfatave në shtëpi, bilanci i Barcelonës në Sevilla mbetet një burim besimi para përballjes së radhës.

Katalunasit kanë edhe një motiv tjetër para kësaj ndeshjeje: mundësinë për ta regjistruar fillimin më të mirë të një sezoni në La Liga në historinë e klubit.

Barcelona i ka fituar tetë ndeshjet e para të kampionatit, duke barazuar arritjen e skuadrës së Tata Martinos në sezonin 2013/14. Një fitore e nëntë radhazi do të vendoste një rekord të ri të klubit.

Kjo do t’i mundësonte gjithashtu Barcelonës të barazonte fillimin më të mirë të një sezoni në La Liga nga cilado skuadër. Real Madridi e mban aktualisht këtë rekord, pasi i fitoi nëntë ndeshjet e para të sezonit 1968/69 nën drejtimin e Miguel Munozit.

Prandaj, fitorja ndaj Real Betisit do t’i mundësonte skuadrës së Flickut të shkruante historinë, duke e zgjatur njëkohësisht serinë e jashtëzakonshme pa humbje në njërin prej stadiumeve ku ka pasur më së shumti sukses si mysafire.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume