Ejup Berisha

Protestat në Shqipëri do të përbëjnë një revolucion të vërtetë dhe real vetëm nëse i eliminojnë përfundimisht mbetjet e komunizmit apo ato çështje, metoda dhe praktika që kanë mbijetuar nga sistemi komunist deri në ditët e sotme. Për më tepër, ato duhet të arrijnë ti rrëzojnë dhe ti largojnë përgjithmonë nga pushteti ata udhëheqës autoritarë, të cilët e qeverisin shtetin shqiptar përmes veprimeve kriminale, të korruptuara dhe autoritare. Në mesin e tyre bën pjesë edhe Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ata që e pasojnë atë në pushtet. Prandaj ky i ka dy mundësi të jep dorëheqje apo të rrëzohet si pasojë e presionit të protestave. Nuk duhet të tolerohet qëndrim shumë i
gjatë i udhëhqësve politik në pushtet pasiqë kjo është hyrje në autoritarizëm apo dhe në diktaturë. Rrëzimi i komunizmit ishte misioni i revolucionit në fund të viteve ’80 një mision që kombi gjerman e përmbushi në mënyrë efektive, të saktë dhe pa asnjë kompromis. Ata e çmontuan vërtet komunizmin brenda territorit të tyre në Gjermaninë Lindore, e cila kishte qenë e pushtuar nga ish-BSRS-ja pas Luftës së Dytë Botërore. Gjermanët realizuan një revolucion të mirëfilltë dhe autentik antikomunist, duke dhënë sinjalin se kishte ardhur koha që komunizmi të rrëzohej edhe te kombet e tjera anembanë botës. Kështu, mund të thuhet me plot të drejtë se kombi gjerman shërbeu si frymëzim për këtë revolucion antikomunist. Ata shërbyen si udhërrëfyes dhe mentorë, duke treguar se si mund të arrihet çmontimi real dhe përfundimtar i komunizmit i të keqes më të madhe të njerëzimit. Megjithatë, këto udhëzime dhe orientime nuk u morën parasysh siç duhet apo në masën e duhur nga të ashtuquajturit revolucionarë antikomunistë ose “demokratë” të cilët dështuan që ta çonin deri në fund revolucionin antikomunist ashtu siç duhej të ishte zhvilluar. Në vend që të zbatonin ndryshime të vërteta, të domosdoshme dhe thelbësore, ata bënë vetëm rregullime formale ose kozmetike. Kështu edhe pse “etërit themelues” të komunizmit u rrëzuan, udhëheqja e këtyre shteteve dikur komuniste thjesht u kaloi fëmijëve, nipërve apo dhe mbesave të vetë komunistëve. Si pasojë, këta udhëheqës të rinj nuk kishin asnjë interes të qeverisnin në mënyrë liberale apo dhe demokratike, përkundrazi, ata vazhduan t’i qeverisnin vendet e tyre duke përdorur të njëjtat modele e metoda si gjyshërit dhe prindërit e tyre komunistë. Prandaj, misioni kryesor dhe thelbësor i protestave të fundit në Shqipëri duhet të jetë përmbyllja e revolucionit antikomunist i cili mbeti i papërfunduar në fillim të viteve ’90 dhe jo thjesht përqendrimi vetëmse te kërkesat e nxënësve dhe studentëve për kushte më të mira mësimi e studimi, apo për standarde më të larta akademike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume