DEMANT NDAJ DEKLARATËS SË BLERIM LATIFIT NË EMISIONIN “PRESSING” NË
T7 (19.10.2026) SE INSTITUCIONET E SHTETIT NË SHQIPËRI DIGJEN NGA
“ISLAMISTË” .

KUR PROTESTAT ETIKETOHEN SI ISLAMIZËM: A PO ZHVENDOSET
VËMENDJA NGA PROBLEMET REALE TË SHQIPËRISË?

Bashkim Aliu
Deklarata e Blerim Latifit se  "Shqiptarët nuk duan që shteti dhe institucionet e tyre të digjen nga
komunistë,  islamistë dhe anarkiste" është një përgjithësim i pabazuar dhe një paraqitje e pasaktë
e realitetit politik dhe shoqëror në Shqipëri.
Së pari, nuk mund të identifikohen protestat politike me islamizmin dhe as protestuesit të
etiketohen si islamistë pa prova konkrete. Në një shoqëri demokratike, protestat janë një e drejtë
qytetare dhe shprehje e pakënaqësisë ndaj pushtetit. Nëse ka individë që kryejnë akte dhune ose
dëmtim të institucioneve, përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe të mbështetet në fakte, jo të
përgjithësohet mbi një bashkësi të tërë, po qofte edhe në emër të "islamizmit" siç tenton ta
kamufloj islamofobine komentatori Blerim Latifi.
Së dyti, një deklaratë e tillë rrezikon ta zhvendosë vëmendjen e opinionit publik nga problemet
reale me të cilat përballet Shqipëria: korrupsioni, mungesa e llogaridhënies, kriza e besimit te
institucionet, problemet ekonomike dhe pakënaqësitë e qytetarëve ndaj qeverisjes. Këto çështje
kërkojnë debat serioz dhe përgjigje konkrete, jo etiketime ideologjike që mund ta polarizojnë
shoqërinë.
Së treti, është e papranueshme që Islami të paraqitet si kërcënim për shtetin dhe institucionet në
emër të  “islamizmit”. Islami si fe, myslimanët si bashkësi dhe ideologjitë politike që mund të
pretendojnë se veprojnë në emër të fesë janë koncepte të ndryshme. Ngatërrimi i tyre krijon
paragjykime dhe nxit dyshime ndaj qytetarëve për shkak të identitetit të tyre fetar.
Nëse dikush synon të mbrojë shtetin ligjor, demokracinë dhe institucionet publike, atëherë duhet
t'i mbrojë ato me argumente, fakte dhe standarde të njëjta për të gjithë. Dhuna duhet dënuar pa
marrë parasysh se kush e ushtron, por feja nuk mund të përdoret si etiketë për të delegjitimuar
protestat apo për të shmangur debatin mbi përgjegjësitë politike.

Shqipëria nuk ka nevojë për frikësim të opinionit publik përmes ideologjizimit dhe etiketimit
fetar, por për drejtësi, transparencë dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve. Çdo deklaratë
publike duhet të kontribuojë në sqarimin e realitetit, jo në krijimin e një realiteti të rremë ku
problemet politike paraqiten si kërcënime fetare.
Blerim Latifi, si i komentues publik, duhet të bëjë dallimin mes kritikës politike, protestës
qytetare dhe ekstremizmit të dhunshëm. Përndryshe, deklarata të tilla nuk e ndihmojnë
demokracinë, por rrezikojnë të ushqejnë paragjykime dhe ta largojnë vëmendjen nga çështjet që
kërkojnë përgjigje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume