I mori mbi 600 mijë euro të moshuarës që kujdesej dhe trashëgoi dy apartamente, kujdestarja dënohet me 6 vite burg
Një kujdestare është dënuar me 6 vite burg nga gjykata e Ankonës, pasi akuzohet se i ka marrë mbi 600 mijë euro të moshuarës për të cilën kujdesej.
Jo vetëm kaq, pasi së bashku me partnerin e saj, ka arritur që të përfitojë edhe nga trashëgimia e saj. Partneri është dënuar me 5 vite burg.
Sipas hetimeve, çifti dyshohet se e kishte nisur planin në shkurt të vitit 2020. Brenda disa muajsh, deri në nëntor të po atij viti, kujdestarja dyshohet se ka tërhequr gradualisht shuma të mëdha parash nga llogaritë bankare të një vejushe 94-vjeçare, e cila kishte qenë bashkëshortja e një avokati të njohur në Ankona.
Por përfitimet nuk janë kufizuar vetëm te paratë në bankë. Sipas dosjes hetimore, gruaja dyshohet se ka ushtruar presion dhe ka ndikuar tek e moshuara për t’u bërë përfituese e policave të sigurimit të jetës me vlerë mbi një milion euro. Ajo gjithashtu kishte arritur të emërohej trashëgimtare universale, duke përfituar edhe dy apartamente në zonën turistike të Rivierës së Koneros. Vlera totale e pasurisë së përfshirë në këtë çështje kalon 2 milionë euro.
Anomalitë u konstatuan fillimisht nga Guardia di Finanza, policia financiare italiane, e cila në shtator të vitit 2020 vuri në lëvizje hetimet e Prokurorisë së Ankonës.
Edhe pse gjatë një ekspertimi gjyqësor të kryer në fazën e hetimeve e moshuara ishte vlerësuar si person i aftë për të kuptuar dhe për të vepruar, gjykata arriti në përfundimin se ajo ndodhej në një gjendje të veçantë brishtësie dhe cenueshmërie.
Sipas vlerësimit të gjyqtarit, varësia e saj nga kujdestarja kishte ndikuar në aftësinë për të marrë vendime të lira lidhur me pasurinë dhe trashëgiminë.
Ndërkohë, në një proces civil, trashëgimtarët e ligjshëm të 94-vjeçares kishin arritur më herët të siguronin anulimin e testamentit që e emëronte kujdestaren trashëgimtare universale.
E moshuara ndërroi jetë në maj të vitit 2025, pa arritur të shihte përfundimin e procesit gjyqësor. Vendimi i gjykatës së Ankonës mbyll një çështje që përfshin akuza për përvetësim të shumave të mëdha parash dhe përfitim të pasurisë së një të moshuare në kushte cenueshmërie.