Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe vendbanimet e tjera që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka përmend rëndësinë e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, veçanërisht në mbrojtjen e të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe qytetare.

“Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë ka rëndësi të veçantë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe qytetare, si dhe për ngritjen e shqetësimeve lidhur me diskriminimin, padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto treva.

Në këto zgjedhje, forcat politike shqiptare paraqiten të bashkuara në listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me numër 17. Pjesëmarrja masovike në zgjedhje është një mundësi për të shprehur vullnetin e lirë dhe për të forcuar përfaqësimin demokratik të shqiptarëve.

Të bashkuar në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe të ardhmes së shqiptarëve!”, shkroi Ahmeti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume