Më të pasurit përfitojnë nga kriza klimatike: Tregtarëve të ushqimit u është rritur pasuria me 120 miliardë dollarë
Njerëzit më të pasur në botë po përfitojnë edhe nga pasojat e krizës klimatike, pasi më parë kanë investuar në industri që ndotin mjedisin. Sipas një raporti të organizatës Oxfam, disa prej tyre po investojnë gjithnjë e më shumë edhe në biznese që merren me riparimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, duke përfituar në dy mënyra nga kriza.
Siç raporton The Guardian, 0,1 për qind e njerëzve më të pasur në botë janë ndër kontribuuesit kryesorë të krizës klimatike, për shkak të investimeve në industri ndotëse, ndërsa njëkohësisht përfitojnë nga pasojat e saj përmes investimeve në rindërtim dhe riparimin e dëmeve.
Drejtoresha e ndikimit në Oxfam, Jean McLean, i akuzoi miliarderët se po e shndërrojnë kaosin në fitim. Sipas saj, njerëzit që kanë kontribuar më pak në krizën klimatike po vuajnë pasojat më të rënda, ndërsa të pasurit kanë mundësi më të mëdha për t’u mbrojtur.
Raporti thekson se krizat e shkaktuara nga kushtet ekstreme të motit dhe luftërat shpesh rrisin fitimet e kompanive të mëdha të tregtisë së ushqimit, ku kanë ndikim të konsiderueshëm miliarderët. Që nga viti 2020, pasuria e tyre është rritur me 120 miliardë dollarë.
Sipas Oxfam, thatësirat, përmbytjet dhe stuhitë që shkatërrojnë të mbjellat mund të rrisin çmimet e ushqimeve. Nga kjo përfitojnë në mënyrë disproporcionale korporatat e mëdha, ndërsa fermerët e vegjël dhe konsumatorët përballen me shpenzime më të larta.
Si shembull përmendet rritja prej 231 për qind e çmimit të kakaos, pas kushteve ekstreme të motit në Afrikën Perëndimore gjatë vitit 2024. Sipas organizatës, fermerët vendas nuk përfituan nga shtrenjtimi, ndërsa fitimet shkuan te pronarët e pasur të kompanive që blenë rezervat dhe i rishitën me çmime më të larta.