Deputetja e Kuvendit të Kosovës Edona Llalloshi flet për vrasjen e Arlinda Zekajt: Edhe kushërirën time e vranë para 18 vitesh
Edona Llalloshi me lot në sy flet për vrasjen e kushërirës: Dhimbja nuk është shuar as pas 18 vitesh
Këngëtarja dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi, ka mbajtur një fjalim emocional gjatë seancës plenare, ku ka folur për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe ka rikujtuar tragjedinë që kishte goditur familjen e saj.
Llalloshi tregoi se në vitin 2008, kushërira e saj, mjekja Igballe Llalloshi, ishte vrarë nga bashkëshorti. Ajo tha se, edhe pas 18 vitesh, dhimbja për humbjen e saj mbetet e madhe.
“E kush, nëse jo unë, ka arsye të flasë për këtë plagë?”, u shpreh deputetja, duke kërkuar që vrasja e grave të shërbejë si pikë kthese për institucionet dhe shoqërinë.
Ajo theksoi se pas çdo viktime qëndrojnë familje të shkatërruara dhe fëmijë që përballen me pasoja të rënda, ndërsa bëri thirrje për masa konkrete kundër dhunës ndaj grave.
Llalloshi ngriti shqetësime edhe për funksionimin e Qendrave për Punë Sociale në Kosovë, duke kërkuar reformim të shërbimeve sociale dhe më shumë kapacitete për mbrojtjen e viktimave.
Në vitin 2009, këngëtarja publikoi këngën “Thuaje me zë”, kushtuar kushërirës së saj të ndjerë, ndërsa më vonë solli edhe projektin “Deri kur”, me mesazh kundër vrasjes së grave.