Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, sonte ia uroi fitoren kandidatit të BDI-së, Arkin Jahijit, në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, duke theksuar se dallimi mes dy kandidatëve është rreth 200 vota.

Kovaçki deklaroi se VMRO-DPMNE i pranon rezultatet zgjedhore, por njëkohësisht akuzoi se në zgjedhje kanë votuar persona që nuk jetojnë në Bërvenicë, por jashtë vendit.

“Dua t’ua uroj fitoren kundërshtarëve tanë në këtë cikël zgjedhor. Ndonjëherë nuk mund të bësh asgjë kundër numrave, ata janë siç janë. Ata arritën të sjellin shumë njerëz nga jashtë, të cilët nuk jetojnë këtu, por jetojnë jashtë kufijve të kësaj atdheu, megjithatë votuan për kandidatin e BDI-së”, deklaroi Kovaçki, njofton TS.

Sipas tij, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski, e ka humbur garën me një diferencë prej rreth 200 votash.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume