Mickoski: Jam optimist se do të gjejmë zgjidhje për Alta Bankën, prioritet është mbrojtja e kreditorëve dhe vendeve të punës
„Unë nuk kam të dhëna zyrtare se kush janë pronarët, kush i ka tjetërsuar aksionet e të ngjashme. Supozoj se për këtë duhet të përgjigjet një institucion tjetër. Ajo që përmendni ju, i nderuar deputet Azizi, është një lajm të cilin edhe unë e kam lexuar në media. Por, jam i sigurt se përmes këtij hetimi transparent, për të cilin inkurajoj dhe bëj thirrje që të zhvillohet nga organet hetimore dhe Prokuroria Publike, do të përcaktohen dhe konstatohen të gjitha faktet, në mënyrë që opinioni maqedonas të jetë i qartë për këtë çështje“, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme mbikëqyrëse për Alta Bankën.
Mickoski theksoi se qëllimi kryesor i Qeverisë është që banka të ketë sipërmarrës të ri dhe të shmanget falimentimi i saj. Sipas tij, më e rëndësishmja është mbrojtja e kreditorëve dhe e vendeve të punës të të punësuarve.
„Do ta përsëris se prioriteti im, për të cilin do të flasin pak më vonë edhe anëtarët e Bankës Popullore, është që kjo bankë të ketë sipërmarrës, në mënyrë që të mos shkojë në falimentim. Kjo është shumë e rëndësishme dhe jam shumë optimist se do të kemi sukses në këtë synim, sepse prioriteti ynë mbetet mbrojtja e të gjithë kreditorëve të bankës dhe ruajtja e vendeve të punës të të punësuarve në bankë.
Sa i përket pjesës së parë të pyetjes suaj dhe marrëdhënies në bazë kreditore ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe kompanisë serbe Alta Banka në vitin 2023, në mbledhjen në të cilën është diskutuar dhe është dhënë autorizim Avokatit të Popullit që t’i tjetërsojë aksionet e Alta Bankës në pronësi të Qeverisë së Maqedonisë, të pranishëm kanë qenë, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, më pas ministri i Financave Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, ndërsa nga radhët e LSDM-së, kryetari i Qeverisë Dimitar Kovaçevski, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Transportit Blagoj Boçvarski, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, Bujar Osmani, Lupço Nikollovski etj.
Nëse dikush ka më së paku të drejtë të flasë për atë që po ndodh sot, madje edhe të manipulojë dhe të shpifë, ajo është pikërisht opozita politike në Maqedoni“, tha ai.
Kryeministri Mickoski u bëri thirrje të gjitha partive politike që të mos e pengojnë procesin e gjetjes së një zgjidhjeje, përkatësisht, siç tha, nëse nuk mund të ndihmojnë, atëherë të mos pengojnë.
„Ajo që u kërkoj me gjithë mirësjelljen të gjitha partive politike është, nëse nuk ndihmoni, ju lutem, me gjithë mirësjelljen, mos pengoni, na lini të gjejmë zgjidhje, jemi optimistë se zgjidhja është gjetur, që ky proces të përfundojë me sukses, ashtu siç do të jetë në interes të kreditorëve dhe të bankës“, theksoi Mickoski.