Ish-ministri i Ekonomisë i Serbisë, Rade Basta, ka përfunduar në prangat e policisë në Beograd, pasi dyshohet se ka shkaktuar dëme financiare prej dhjetëra miliona dinarësh në një ndërmarrje publike që drejtonte përpara se të merrte postin qeveritar.

Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd. Hetimi përqendrohet te periudha kur Basta ishte në krye të ndërmarrjes publike “Beogradske elektrane”, ku dyshohet se ka miratuar një sërë pagesash dhe donacionesh të pajustifikuara për organizata sportive.

Sipas raportimeve të mediave serbe, fondet publike dyshohet se janë shpërndarë për disa klube futbolli e basketbolli, përfshirë edhe ekipe të vogla, si dhe për një klub kalërimi. Këto vendime dyshohet se i kanë shkaktuar ndërmarrjes dëme financiare në vlerën e dhjetëra miliona dinarëve.

Në aksionin e zhvilluar në Beograd janë angazhuar edhe efektivë të Shërbimit për Luftën kundër Korrupsionit, të cilët po kryejnë kontrolle në disa ambiente. Përveç Bastës, në kuadër të të njëjtit hetim janë shoqëruar edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me çështjen.

Rade Basta ka drejtuar Ministrinë e Ekonomisë së Serbisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga detyra. Por largimi i tij nga qeveria nuk lidhej me hetimin aktual, por me qëndrimet e tij politike për luftën në Ukrainë.

Në atë kohë, Basta kërkoi që Serbia të vendoste sanksione ndaj Rusisë për agresionin kundër Ukrainës, një qëndrim që binte ndesh me politikën e ndjekur nga Beogradi zyrtar. Pas përplasjes, ai krijoi lëvizjen politike “Rruga Evropiane”.

Basta ishte emëruar ministër si përfaqësues i partisë “Jedinstvena Srbija”, e cila më pas kërkoi largimin e tij nga funksionet partiake dhe publike ku ishte propozuar prej saj, për shkak të deklaratave në mbështetje të sanksioneve ndaj Moskës.

Hetimet për abuzimin e dyshuar me fondet e ndërmarrjes publike vijojnë, ndërsa deri më tani bëhet fjalë për dyshime të autoriteteve dhe jo për një fajësi të provuar me vendim gjykate.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume