Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë një vizite zyrtare në Athinë zhvilloi një takim dypalësh me përfaqësues të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Greqisë dhe të Qendrës Kombëtare për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale (EKDDA), ku u konfirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e administratës publike.

Tetovasot raporton se pas takimit u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Maqedonisë së Veriut dhe EKDDA-së, me të cilin krijohet një kornizë institucionale për partneritet afatgjatë në fushën e trajnimeve profesionale, kërkimit shkencor dhe inovacionit në administratën publike.

Sipas ministrit Minçev, bashkëpunimi me institucionet greke do të ketë rëndësi të veçantë për zhvillimin e Akademisë për Trajnim dhe Aftësim Profesional të nëpunësve administrativë, duke mundësuar modernizimin e programeve mësimore, zbatimin e modeleve evropiane të trajnimit dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të administratës.
“Me thellimin e partneriteteve rajonale dhe evropiane krijojmë vlera konkrete për institucionet dhe qytetarët e vendit tonë. Synimi ynë është një administratë publike profesionale, kompetente dhe efikase, ndërsa për këtë nevojiten dije, trajnim i vazhdueshëm dhe institucione të forta. Përvoja greke është me rëndësi të veçantë për zhvillimin e Akademisë sonë dhe ndërtimin e një sistemi modern për zhvillimin profesional të nëpunësve administrativë”, deklaroi Minçev.

Tetovasot mëson se në takim morën pjesë edhe zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Greqisë, Paraskevi Haralambojani, presidenti i EKDDA-së, Vasilis Exarhos, drejtues të Akademisë për Zhvillim Profesional të nëpunësve administrativë, Shkollës Kombëtare të Administratës Publike, si dhe përfaqësues të organizatës “Reform Greece”.

Sipas Ministrisë së Administratës Publike, ky partneritet paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me fokus në shkëmbimin e praktikave më të mira, zhvillimin profesional të administratës dhe përmirësimin e shërbimeve publike në interes të qytetarëve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume