Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në kuadër të vizitës së punës në Berlin, zhvilloi takim me ministrin gjerman të Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, Gunther Krichbaum.
Takimi përbën një kontakt të rëndësishëm diplomatik në një periudhë kur vendi po punon intensivisht për përmbushjen e detyrimeve të agjendës evropiane, ndërsa reformat në drejtësi mbeten një nga treguesit kryesorë të gatishmërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ministri Shasivari prezantoi aktivitetet aktuale reformuese të Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë në Kodin e ri Penal dhe Ligjin për Procedurën Penale, të cilët tashmë janë dorëzuar në Komisionin Evropian për mendim. Bëhet fjalë për dy zgjidhje të rëndësishme ligjore, përmes të cilave synohet tejkalimi i dobësive ekzistuese dhe vendosja e themeleve për një sistem më bashkëkohor dhe më efikas të drejtësisë penale.
Gjatë bisedës u trajtuan sfidat e integrimit evropian, dinamika e proceseve reformuese dhe rëndësia e mbështetjes gjermane për perspektivën evropiane të vendit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës që detyrimet reformuese të mos mbeten vetëm në nivel të ndryshimeve ligjore, por të sjellin përmirësime konkrete në funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e ligjit.
Gjermania, si një nga partnerët më të rëndësishëm evropianë, ka rol të rëndësishëm në mbështetjen e proceseve demokratike dhe zhvillimit institucional. Thellimi i këtij partneriteti merr rëndësi të veçantë në një periudhë kur vendi përballet me detyra të rëndësishme në përmbushjen e kritereve evropiane.
Takimi në Berlin është pjesë e përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit politik dhe institucional me Gjermaninë, si dhe sigurimin e mbështetjes së vazhdueshme për reformat që duhet të sjellin rezultate afatgjata në drejtësi.





