Më 12 nëntor 2026 u zhvillua në formën online mbledhja inauguruese e Bordit Këshillëdhënës të
Komunitetit (Community Advisory Board – CAB), një mekanizëm bashkëpunimi i themeluar në
kuadër të partneritetit ndërmjet Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës dhe Northern
Illinois University (NIU) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky bord përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të bashkëpunimit ndërmjet
institucioneve të arsimit të lartë dhe komunitetit shkollor, duke krijuar një platformë të përbashkët
për identifikimin e nevojave arsimore, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e
qasjeve bashkëkohore në mësimdhënie.
Në këtë takim morën pjesë mësimdhënës të shkollave fillore nga Maqedonia e Veriut, të cilët janë
pjesë e këtij bordi: Syarta Lutfiu, Leonora Sulejmani-Alili, Vlera Shabani-Kadriu, Mimoza Veliu
dhe Shpend Nebiu. Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës u përfaqësua nga dekani, Prof.
Dr. Lulzim Mehmedi, Prof. Dr. Teuta Ramadani-Rasimi, Prof. Dr. Arbresha Zenki-Dalipi dhe Prof.
Dr. Makfirete Ameti. Në takim ishte e pranishme edhe dekania e Fakultetit Filozofik, Prof. Dr.
Sheruze Osmani-Ballazhi. Ndërkaq, nga Northern Illinois University, veprimtarinë e udhëhoqi Dr.
Eric Junco.
Në qendër të diskutimeve ishte të nxënit social dhe emocional (Social and Emotional Learning –
SEL), rëndësia e të cilit po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në zhvillimin e mjediseve
gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse të të nxënit. Përmes këtij bashkëpunimi synohet që parimet dhe
praktikat e SEL-it të shqyrtohen në raport me nevojat konkrete të shkollave në vend, duke krijuar
mundësi për integrimin e tyre në procesin e përditshëm mësimor.
Pjesa e parë e takimit iu kushtua njohjes dhe krijimit të një klime bashkëpunuese ndërmjet
anëtarëve të bordit. Përmes aktivitetit ndërveprues “Pika të përbashkëta: Kemi më shumë të
përbashkëta sesa mendojmë”, pjesëmarrësit ndanë interesa, përvoja dhe elemente të përbashkëta që
shkojnë përtej angazhimit të tyre profesional. Kjo qasje synoi të nxisë komunikimin e hapur,
mirëkuptimin dhe krijimin e marrëdhënieve të besueshme, si parakushte për një bashkëpunim të
qëndrueshëm.
Në vijim, Dr. Eric Junco prezantoi ecurinë e bashkëpunimit ndërmjet NIU-së dhe UT-së, rezultatet
e punës kërkimore, si dhe objektivat dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë së CAB-it. Një pjesë e
rëndësishme e prezantimit iu kushtua kuadrit të kompetencave të përcaktuara nga organizata
CASEL, i cili përfshin pesë fusha themelore të zhvillimit social dhe emocional: vetëdijen për veten,
vetëmenaxhimin, vetëdijen shoqërore, aftësitë e marrëdhënieve dhe vendimmarrjen e përgjegjshme.
Trajtimi i këtyre kompetencave u shoqërua me diskutime mbi mënyrat se si ato mund të gjejnë
zbatim në realitetin shkollor të vendit. Përvojat e drejtpërdrejta të mësimdhënësve, sfidat me të cilat
përballen në klasë dhe nevojat e nxënësve u konsideruan si pikënisje për përshtatjen e praktikave
dhe strategjive të prezantuara. Në këtë mënyrë, bordi synon të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet
njohurive shkencore, përvojës profesionale dhe kërkesave të praktikës së përditshme arsimore.
Aktivitetet e ardhshme të CAB-it do të përfshijnë një program të vazhdueshëm takimesh dhe
zhvillimi profesional, përmes trajnimeve tematike, diskutimeve të strukturuara dhe prezantimit të
përvojave e praktikave të suksesshme nga mësimdhënës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Njësia për protokoll dhe marrëdhënie me opinionin-Одделение за протокол и односи со јавноста-

Department for protocol and Press office
Str. Ilinden nn. 1200 Tetova, Republic of North Macedonia
www.unite.edu.mk – e-mail: [email protected]

Anëtarët e bordit do të kenë mundësi të njihen me strategji dhe modele konkrete të punës, t'i
përshtatin ato me veçoritë gjuhësore, kulturore dhe zhvillimore të nxënësve në shkollat vendore, si
dhe t'i vënë në zbatim përmes aktiviteteve praktike në klasë.
Një dimension i rëndësishëm i këtij procesi do të jetë edhe vlerësimi dhe reflektimi mbi përvojat e
fituara gjatë zbatimit të strategjive të reja. Shkëmbimi i rezultateve, identifikimi i sfidave dhe
diskutimi i mundësive për përmirësim pritet të kontribuojnë në pasurimin e praktikave mësimore
dhe në ndërtimin e një qasjeje më të qëndrueshme ndaj zhvillimit social dhe emocional të nxënësve.
Përmes themelimit dhe funksionalizimit të këtij bordi, Universiteti i Tetovës dhe Northern Illinois
University synojnë të thellojnë partneritetin akademik dhe ta shtrijnë atë përtej bashkëpunimit
institucional, duke e lidhur drejtpërdrejt me nevojat dhe realitetin e shkollave. Përfshirja aktive e
mësimdhënësve në këtë proces dëshmon rëndësinë e partneritetit ndërmjet universiteteve dhe
komunitetit arsimor në avancimin e cilësisë së arsimit, zhvillimin profesional të kuadrit mësimor
dhe përmirësimin e përvojës së të nxënit për nxënësit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume