Kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës dhe përdorimit të gjuhës shqipe, duke theksuar se nuk ekziston një provim i plotë i jurisprudencës i cili zhvillohet 100 për qind në gjuhën shqipe informon Tetovasot.

Duke iu përgjigjur pyetjes së TetovaSot, Mickoski sqaroi se zgjidhja e dërguar në Komisionin e Venecias parashikon që provimi i avokatit të zhvillohet në dy pjesë.

Sipas tij, pjesa e parë është seksioni teorik, i cili lidhet me përmbajtjen e studimeve universitare dhe diplomës.

“Çdo person që ka përfunduar arsimin e lartë në Maqedoni në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, mund të zgjedhë që këtë pjesë ta japë në gjuhën në të cilën ka përfunduar arsimin e tij të lartë. Ekzistojnë tri mundësi: në shqip, anglisht dhe turqisht”, deklaroi Mickoski.

Ndërsa pjesa e dytë e provimit, sipas kryeministrit, që përfshin simulimin e dy proceseve gjyqësore , një penal dhe një civil , zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik.

Ai theksoi se kjo bazohet në interpretimin e Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Arsyeja është se sistemi gjyqësor ka një qasje frankofone, ose më saktë një parim ku sundimi i ligjit mbrohet dhe zbatohet në një gjuhë të vetme, dhe kjo është gjuha maqedonase dhe shkrimi cirilik”, tha Mickoski.

Deklarata e kryeministrit vjen pas qëndrimeve të kryetarit të Komunës së Tetovës dhe VLEN, Bilall Kasami, lidhur me mundësinë e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume