Ministria e Drejtësisë ka publikuar Projektkodin e ri Penal dhe Projektligjin e ri për Procedurën Penale në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER), duke hapur mundësinë për përfshirjen aktive të publikut në finalizimin e këtyre zgjidhjeve të rëndësishme ligjore.
Të gjitha palët e interesuara, ekspertët e fushës, institucionet e drejtësisë, komuniteti akademik, organizatat e shoqërisë civile, si dhe qytetarët, do të kenë mundësi të shqyrtojnë tekstet ligjore dhe të paraqesin vërejtjet, komentet, propozimet dhe sugjerimet e tyre.
Në periudhën në vijim do të organizohen edhe debate publike profesionale, ku do të diskutohen çështjet dhe zgjidhjet kryesore të përfshira në të dy projektligjet. Përmes diskutimeve të argumentuara dhe shkëmbimit të mendimeve, synohet përmirësimi i mëtejshëm i përmbajtjes së tyre.
Njëkohësisht, të dy projektligjet i janë dorëzuar Komisionit Evropian për mendim, me qëllim sigurimin e një vlerësimi shtesë profesional të zgjidhjeve të propozuara dhe përputhshmërisë së tyre me legjislacionin dhe standardet evropiane.
Me publikimin në ENER dhe hapjen e debatit publik, Ministria e Drejtësisë vazhdon procesin transparent dhe gjithëpërfshirës, ku çdo propozim konstruktiv mund të kontribuojë në hartimin e zgjidhjeve më të mira ligjore.
Reforma e legjislacionit penal mbështetet në profesionalizëm, dialog dhe përgjegjësi të përbashkët.
Linku: Kodi Penal – ЕНЕР | Предлог на Кривичниот законик
Linku: Ligji për Procedurën Penale – ЕНЕР | Предлог на Закон за кривичната постапка