Analisti Qani Shabani
Evropa na thotë çdo ditë: lini pas të kaluarën, pajtohuni dhe ndërtoni të ardhmen bashkë. Por në koncertin hapjes të Forumit per Zgjerimi,në Bruksel u interpretua “Oj Kosovo, Kosovo”, këngë që përçon pretendime serbe mbi Kosovën. Atëherë, çfarë mesazhi duhet të marrin qytetarët: të dëgjojnë fjalimet për pajtim apo atë që luhet në skenë?
Kjo nuk ishte një dasmë private. Ishte një ngjarje e organizuar nga Komisioni Evropian, ku çdo përzgjedhje duhej të bëhej me kujdes. Kur mbledh vende me plagë ende të hapura, duhet ta dish çfarë mesazhi përcjell programi yt. Përndryshe, flet për bashkim dhe vetë hap përçarje.
Marta Kos shprehu keqardhje dhe tha se kënga nuk përfaqësonte qëndrimin e saj apo të Komisionit. Mirë që u distancua, por qytetarët meritojnë edhe një përgjigje të thjeshtë: kush e përzgjodhi këtë këngë dhe si përfundoi ajo në atë skenë? Përgjegjësia nuk mbyllet me një fjali keqardhjeje.
Kosova ka të drejtë të kërkojë sqarim dhe respekt. Përfaqësuesit e saj shkojnë në Bruksel për të diskutuar të ardhmen evropiane të vendit. Përballja me mesazhe që vënë në pikëpyetje shtetin e tyre e dëmton besimin te vetë organizatori.
Edhe reagimi i Kosovës duhet të ketë peshë: kërkesë zyrtare për sqarim, përgjegjësi për organizimin dhe masa që kjo të mos përsëritet. Zemërimi kalon; përgjigjet institucionale mbeten.
Brukseli duhet të japë shembullin që kërkon nga të tjerët. Nëse u kërkon popujve të Ballkanit të largohen nga nacionalizmi, duhet të kujdeset që të mos ia hapë vetë me mikrofonin nacionalizmin!
Kosova e ka vendin në tryezën evropiane.Udhëheqësit e saj duhet ta mbrojnë këtë qëndrim me vendosmëri. Miqësia me Evropën forcohet kur ka respekt të ndërsjellë, ndërsa heshtja përballë incidenteve të tilla vetëm ua hap rrugën përsëritjeve.