Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se rreth 2.200 persona janë paraqitur në muajin e fundit, që nga fillimi i dhënies së lejeve për punë në kuadër të qasjes së lirë në tregun e punës të Ballkanit të Hapur, ndërsa pjesa më e madhe e personave të paraqitur janë nga Maqedonia e Veriut, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Vuçiqi deklaroi se Serbia “ka problem me fuqinë punëtore” dhe se është mirë që janë bërë karta të identifikimit si pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur” për Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Pjesa më e madhe e të interesuarve janë nga Maqedonia e Veriut, deklaroi Vuçiqi për televizionin Informer.

Ai tha se në të njëjtën mënyrë “disa qindra shtetas serbë kanë aplikuar për të shkuar në vende të tjera”, por se më i madh fluksi i punëtorëve në Serbi është përmes “Ballkanit të Hapur”, se sa ikja e punëtorëve.

Vuçiqi deklaroi poashtu se “financat publike të Serbisë janë në gjendje të mirë” dhe se pret që borxhi publik i vendit të jetë 51 për qind e Bruto prodhimit vendor (BPV) deri në fund të vitit nga “70 për qind e BPV-së” kur u bë kryeministër.

Ai poashtu tha se Serbia në shkurt ka pasur rritje ekonomike prej 5.9 për qind.

“Nëse vazhdohet kështu është e sigurt se deri në fund të vitit do të ketë rritje të ndjeshme të pagave dhe pensioneve”, tha ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume