Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Gjykata ka vendosur që Ahmeti të dënohet me dy vjet burgim dhe me gjobë prej 5 mijë eurosh.

Në njoftimin e saj, gjykata ka bërë të ditur se “i akuzuari Sh.A. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vitesh, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 5.000 (pesë mijë) euro”.

Sipas aktgjykimit, vendimi është marrë për veprën penale të përcaktuar në nenin 430, paragrafi 2, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç dënimit kryesor, gjykata ka obliguar të dënuarin që të paguajë edhe shpenzime shtesë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. “Obligohet i akuzuari që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 100€ si dhe në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 100€”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykata ka bërë të ditur se palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi. “Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit”, thuhet në vendimin e publikuar.

Rasti ndaj Ahmetit është zhvilluar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa vendimi aktualisht nuk është i plotfuqishëm dhe mund të kundërshtohet përmes ankesës në Gjykatën e Apelit.

Shpend Ahmeti ka qenë kryetar i Komunës së Prishtinës nga viti 2013 deri në vitin 2021.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume