Presidenti i SHBA, Donald Trump u pyet, gjatë konferencës pas samitit të NATO-s, nëse lufta me Iranin përbën një rrugë pa krye nga pikëpamja strategjike, por ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes.
Në vend të kësaj, ai foli për atë që e quajti “suksesin e jashtëzakonshëm” ndaj Iranit.
Pasi përsëriti deklaratat e tij për luftën, duke pretenduar se operacioni ishte i suksesshëm dhe se materiali bërthamor i Iranit ndodhet i varrosur nën tokë, Trump u shpreh se mund të jetë objektiv për Teheranin.
“Ata kishin udhëheqës. Ata nuk janë më. Pastaj kishin një grup tjetër udhëheqësish. Edhe ata nuk janë më. Tani kanë një grup tjetër udhëheqësish. Edhe ata mund të mos jenë më, kush e di? Dhe e dini çfarë? Mund të mos jem më as unë, sepse jam objektivi i tyre numër një… Jam objektivi i tyre kryesor sepse ata janë fundërrina. Kështu veprojnë dhe kështu kanë vepruar për 47 vjet. Por unë po bëj atë që është e drejtë për vendin,” tha Trump.
Ai u pyet pse më herët i kishte përshkruar udhëheqësit iranianë si “njerëz shumë racionalë”, ndërsa sot i quajti “fundërrina”.
Presidenti amerikan e ndërpreu pyetjen dhe u përgjigj: “I njoha.”
“Mendoj se janë më racionalë, por bazuar në veprimet e tyre gjatë javës apo dy javëve të fundit, nuk po i bëjnë asnjë shërbim popullit të Iranit. Dhe, mbi të gjitha, unë i kam njohur dhe nuk jam i sigurt se dua të arrij një marrëveshje me ta. Mund të luajmë lojëra, por nuk jam i sigurt se dua një marrëveshje. Le ta çojmë punën deri në fund,” tha ai.
Në një pyetje pasuese, Trump u pyet për çmimet e naftës dhe nëse situata është pranë rikthimit në një konflikt të plotë. Ai e devijoi pyetjen për t’u përqendruar te ajo që e cilësoi si vija e kuqe e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit: të mos zotërojë armë bërthamore.
“Nuk mendoj se do të fillojë përsëri. Mendoj se do të përfundojë shumë shpejt. Ata goditën disa anije dhe ne u kundërpërgjigjëm shumë më fuqishëm. Kur ata godasin, ne goditasim dhjetë herë më fort. E dini, ne godasim shumë më fort se ata”, tha ai duke shtuar: “Ne përdorim gjuhën e tyre. Ne flasim gjuhën e tyre.”