Anija turistike “Scarlet Lady”, e cila po zhvillon një lundrim të dedikuar për komunitetin LGBTQ+, është refuzuar edhe nga autoritetet egjiptiane, vetëm pak ditë pasi iu ndalua hyrja në Turqi.

Sipas organizatorit të udhëtimit, Atlantis Events, rreth 2 mijë pasagjerët u njoftuan të enjten në mëngjes se anija nuk do të lejohej të hynte në ujërat territoriale të Egjiptit dhe se ndalesa e planifikuar në Aleksandri ishte anuluar.

“U befasuam nga ky vendim. Vitin e kaluar zhvilluam të njëjtin itinerar pa asnjë problem”, thuhet në mesazhin që kompania u shpërndau pasagjerëve.

Ndalesa në Egjipt ishte shtuar në itinerar vetëm pasi Turqia refuzoi hyrjen e anijes në fillim të kësaj jave.

Autoritetet turke deklaruan se nuk do të lejonin ankorimin e anijes, duke argumentuar se ajo ishte marrë me qira nga grupe “sjellja e të cilëve nuk përputhet me strukturën e shoqërisë dhe vlerat morale” të vendit.

Autoritetet egjiptiane nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar për refuzimin.

Pasagjerët, mes të cilëve ndodhet edhe aktorja e Broadway-t, Patti LuPone, u detyruan të ndryshojnë sërish planet e udhëtimit. Shumë prej tyre kishin rezervuar ture private për të vizituar piramidat dhe muzeumet në Egjipt.

“Po të mos na duan si turistë, do të shkojmë dhe do t’i shpenzojmë paratë diku tjetër”, shkroi një prej pasagjerëve në rrjetet sociale.

Pas dy refuzimeve radhazi, anija është ridrejtuar drejt Kretës në Greqi dhe më pas do të vijojë udhëtimin drejt Malit të Zi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume