Ushtria amerikane ka bërë të ditur se përfundoi një raund të ri sulmesh hakmarrëse kundër Iranit, duke goditur më shumë se 80 objektiva si përgjigje ndaj sulmeve të fundit të Teheranit ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat e saj kryen sulme kundër sistemeve iraniane të mbrojtjes ajrore, rrjeteve të komandës dhe kontrollit, radarëve bregdetar, kapaciteteve të raketave kundër anijeve dhe më shumë se 60 varkave të vogla që i përkasin Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), brenda dhe përreth kësaj rruge strategjike detare.

Sulmet, tha CENTCOM, u kryen “si një përgjigje e menjëhershme ndaj sulmeve të fundit të Iranit ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit”.

Sipas komandës amerikane, operacioni kishte për qëllim dobësimin e “aftësisë së Iranit për të vazhduar sulmet ndaj tregtisë ndërkombëtare që kalon përmes korridorit ndërkombëtar tregtar”.

Mediat shtetërore iraniane raportuan se shpërthime u dëgjuan në disa zona të jugut të Iranit.

“Forcat e CENTCOM mbeten të pozicionuara dhe të gatshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës kur marrëveshja e (armëpushimit) nuk respektohet ose nuk zbatohet”, tha CENTCOM.

Dje, Katari thirri zv/ambasadorin iranian në Doha për të protestuar ndaj asaj që e përshkroi si sulm iranian ndaj anijes Al Rekayyat me pronësi të Katarit, pranë Ngushticës së Hormuzit.

Në përgjigje, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, hodhi poshtë akuzën e Katarit, duke theksuar se Teherani mbetet i përkushtuar për të garantuar lundrim të sigurt në këtë rrugë strategjike detare.

“Anijet që përdorin rrugë të cilat nuk janë koordinuar me autoritetet iraniane e ekspozojnë veten ndaj rreziqeve dhe pengojnë përpjekjet e Republikës Islamike të Iranit për të lehtësuar trafikun e sigurt në Ngushticën e Hormuzit”, tha Baqaei.

Duke cituar burime të paidentifikuara, transmetuesi shtetëror iranian IRIB raportoi në rrjetin social amerikan X se një cisternë nafte e Katarit, e cila po përpiqej të kalonte përmes rrugës së Omanit në Ngushticën e Hormuzit me mbështetjen e Marinës së SHBA-së, ishte vënë në shënjestër pasi kishte injoruar paralajmërime të përsëritura nga forcat iraniane.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume