Një ngjarje e rëndë është shënuar në Colle di Val d’Elsa në Itali, ku ka humbur jetën tragjikisht 33-vjeçari shqiptar Xhovalin Musaraj.

I riu u zhduk pasditen e së dielës, më 5 korrik, pasi u hodh për t’u larë në lumin Elsa, por nuk arriti të dilte më në sipërfaqe.

Ngjarja ndodhi në zonën mes Gore Rotte dhe urës së Spugnës, një pikë e frekuentuar nga qytetarët gjatë ditëve të nxehta të verës, ku thellësia e ujit arrin rreth 2.5 metra.

Sipas mediave italiane, Musaraj ishte së bashku me disa të afërm në momentin kur u fut në ujë. Kur familjarët vunë re se ai nuk po dilte më në sipërfaqe, u dha menjëherë alarmi dhe nisi operacioni i kërkim-shpëtimit.

Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës 118, zhytësit e Livornos të transportuar me helikopterin “Drago 127” nga reparti i fluturimit në Arezzo, si dhe karabinierët e Poggibonsit.

Për disa orë, ekipet e kërkimit kontrolluan lumin në përpjekje për ta gjetur të riun. Shpresa u shua rreth orës 19:00, kur zhytësit gjetën trupin e 33-vjeçarit pa shenja jete.