Chrupalla: Do të kthejmë rreth 2.6 milionë njerëz nga Gjermania në vendet e tyre, sa qytetarë të Maqedonisë së Veriut do të përfshihen në dëbim?
Nënkryetari i partisë së djathtë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), Tino Chrupalla, ka kërkuar kthimin e deri në 2.6 milionë njerëzve nga Gjermania në vendet e tyre të origjinës.
Sipas propozimit të tij, vendin nuk duhet ta lënë vetëm shtetasit e huaj që kanë detyrim ligjor për t’u larguar dhe të huajt e dënuar për vepra penale, por edhe shtetasit sirianë, afganë dhe ukrainas, sapo të pushojnë së ekzistuari arsyet për të cilat u është dhënë mbrojtje ndërkombëtare.
Chrupalla e shpjegoi këtë kërkesë në një intervistë për podcastin „Unter Zwei“ të gazetës „Bild“, duke iu referuar ndryshimeve të mundshme politike dhe të sigurisë në vendet prej nga vijnë migrantët.
Sipas tij, nëse përfundon lufta në Ukrainë ose nëse kushtet e sigurisë në Siri dhe Afganistan përmirësohen në atë masë saqë nuk nevojitet më mbrojtja ndërkombëtare, qytetarët e këtyre vendeve duhet të kthehen në vendlindjet e tyre.
„Dhe këtu po flasim për 2.6 milionë njerëz“, deklaroi Chrupalla, duke shpjeguar përllogaritjen e tij.
Propozimi i tij bie ndesh me qëndrimin e kolegut të tij partiak, Maximilian Krah, i cili më herët kishte paralajmëruar kundër pritshmërive të tepruara sa i përket deportimeve. Sipas Krah, kthimi i 200 mijë personave do të përbënte operacionin më të madh të këtij lloji në historinë evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.
Deklaratat e Chrupalla-s janë kritikuar edhe nga eksperti i migracionit Daniel Thym, profesor në Universitetin e Konstancës, i cili i konsideron ato të pasakta.
Sipas Thym, lideri i AfD-së krijon përshtypjen se miliona ukrainas, sirianë dhe afganë mund të deportohen masivisht nga Gjermania brenda një periudhe të shkurtër. Megjithatë, kjo nuk është e mundur nga pikëpamja ligjore.
Ai shpjegon se statusi i mbrojtjes ndërkombëtare duhet të shqyrtohet veçmas për secilin person.
Edhe pse rrethanat mbi bazën e të cilave dikujt i është dhënë mbrojtja mund të ndryshojnë, duke vënë në pikëpyetje vazhdimin e vlefshmërisë së saj, kjo nuk do të thotë se mbrojtja mund t’u hiqet automatikisht të gjithë shtetasve të një vendi të caktuar.
Për këtë arsye, Thym vlerëson se shifra prej 2.6 milionë personash e përmendur nga Chrupalla është dukshëm e ekzagjeruar.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga gazeta „Bild“, rreth 259 mijë persona në Gjermani, në mesin e vitit 2026, ishin të detyruar të largoheshin nga vendi. Bëhet fjalë për persona, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar, të cilët nuk kanë më të drejtë qëndrimi në Gjermani dhe kanë detyrim ligjor të largohen nga territori i saj.
Megjithatë, plot 77 për qind e tyre kishin statusin e pezullimit të përkohshëm të deportimit (*Duldung*), që do të thotë se largimi i tyre i detyruar nga vendi nuk lejohet për momentin.