Mbledhja e përbashkët për Raportin e Komisionit Evropian: Reformat dhe perspektiva evropiane e vendit
Sot në Kuvend u mbajt mbledhja e përbashkët e Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Eurointegrime, në të cilën u shqyrtua Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026, me fokus në progresin e arritur, sfidat dhe rekomandimet për zbatimin e mëtejshëm të reformave në vend.
Mbledhjen e hapën kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonijo Milloshoski, dhe kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, vuri në dukje se vendi ka nivel të lartë të gatishmërisë në fusha të caktuara, por theksoi se është e nevojshme të përshpejtohen reformat, veçanërisht në gjyqësor. E veçoi digjitalizimin, harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe miratimin e rekomandimeve si fusha të progresit. Gjithashtu vuri në dukje nevojën për mjetet shtesë për gjyqësorin.
Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, theksoi se integrimi evropian është çështja strategjike kombëtare dhe se Raporti është mundësi për një vlerësim real të progresit dhe shndërrimin e rekomandimeve në obligime konkrete. Ajo përmendi arsimin, kulturën dhe digjitalizimin si fusha të progresit, por gjithashtu vuri në dukje dobësitë në zbatimin e të drejtave themelore, funksionimin e trupave të pavarur dhe kapacitetet institucionale. Bëri thirrje për dialog konstruktiv dhe theksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë duhet të jenë urë lidhëse me Bashkimin Evropian.
Ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, vlerësoi se Raporti mundëson debat esencial mbi gjendjen e vendit në procesin e integrimit evropian. Ai theksoi se Komisioni Evropian e njeh angazhimin e vendit dhe harmonizimin e plotë me politikën e jashtme të BE-së, por edhe fushat në të cilat nevojiten përpjekje shtesë. Theksoi se konsensusi politik dhe puna e përbashkët janë të domosdoshme për të përmbushur rekomandimet.
Filipçe dha një pasqyrë historike të procesit të aderimit të vendit në Bashkimin Evropian, duke theksuar sfidat dhe rreziqet me të cilat përballet. Ai iu referua rrjedhës aktuale të integrimit evropian dhe nevojës për përkushtim të qartë ndaj perspektivës evropiane.
Milloshoski theksoi se Raporti ofron udhëzime për përmirësimet e nevojshme në Dhomën Ligjvënëse, me qëllim të arritjes së rezultateve më të mira dhe ndërtimin e një shteti funksional, të drejtë dhe të orientuar drejt Evropës. Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive parlamentare në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e rekomandimeve evropiane.
Fjalimet hyrëse u pasuan nga debati midis deputetëve, gjatë të cilit u shkëmbyen mendime mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit, si dhe mbi hapat e nevojshëm për të përshpejtuar reformat dhe progresin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.




