Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, për emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, theksoi se në Kuvend do të miratohet një ligj i posaçëm për banesa 20% më të lira për çiftet e reja bashkëshortore, duke theksuar se nuk do të ketë subvencione për kompanitë e ndërtimit, sepse ato realizonin fitim të mjaftueshëm me 3.000 euro për metër katror.

“Do të sjellim ligj në Kuvend, me të cilin do t’i obligojmë. Jemi duke e përpunuar, sot patëm takim me njerëz nga kabineti im dhe me zëvendëskryetarin e Qeverisë dhe ministrin e Transportit, për të përcaktuar përafërsisht fushën e përfshirjes. Me shumë gjasë do të jetë një ligj special që do të dorëzohet në Kuvend”, shtoi kryeministri Mickoski.

Lidhur me akuzat e opozitës, kryeministri Mickoski theksoi se të njëjtët që deri dje thoshin se Qeveria i mbronte kompanitë e ndërtimit, tani thonë se po ua marrin fitimin.

“Përsëri po krijohet një mesazh i çuditshëm, i cili më së shpeshti vjen nga mediat e afërta me opozitën dhe nga vetë opozita. Deri dje na akuzonin se i mbrojmë kompanitë e ndërtimit, ndërsa që nga dje dhe sot na akuzojnë se do t’ua marrim fitimin kompanive të mëdha të ndërtimit. Vërtet, ndonjëherë habitem me mesazhet që vijnë nga atje dhe prandaj refuzoj t’i komentoj”, thotë kryeministri Mickoski.

Lidhur me mënyrën se si do të obligohen kompanitë e ndërtimit, kryeministri Mickoski shtoi se 10% e sipërfaqes banesore është minimumi që ato do të detyrohen ta sigurojnë për këto banesa, ndërsa zbritjen prej 20% për banesat më të lira për çiftet e reja bashkëshortore do të duhet ta mundësojnë, sepse në të kundërtën nuk do të marrin leje ndërtimi.

“Gjithçka do të rregullohet me ligj. Çmimi referues do të jetë çmimi i vitit paraprak për atë komunë kadastrale në të cilën janë shitur banesat. Do ta nxjerrim mesataren dhe, në bazë të asaj mesatareje, do të ketë zbritje prej 20%, përndryshe nuk do të marrin leje ndërtimi. Shumë thjesht. Minimumi 10% e sipërfaqes banesore. Gjithçka do të përpunohet në ligj dhe do të ketë një dispozitë referuese drejt akteve nënligjore”, theksoi kryeministri Mickoski.

I pyetur nëse kompanitë e ndërtimit do të subvencionohen për këtë zbritje, kryeministri Mickoski theksoi se nuk ka nevojë për subvencione, pasi ato realizonin fitim prej 3.000 eurosh për metër katror në Shkup.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume