Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi një takim me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Maqedoni, Gregor Presker, gjatë të cilit u diskutua për proceset aktuale reformuese në sistemin e drejtësisë, ndryshimet ligjore dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e drejtësisë.

Ministri Shasivari e informoi ambasadorin Presker për përgatitjet lidhur me debatet e ardhshme publike për Kodin e ri Penal dhe Ligjin për Procedurën Penale. Me këtë rast, u theksua rëndësia e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen aktive të komunitetit profesional, institucioneve të drejtësisë, qarqeve akademike dhe sektorit civil.

Në takim u diskutua edhe për zbatimin e Agjendës Reformuese, me theks të veçantë në aktivitetet për forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e efikasitetit dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe avancimin e sundimit të ligjit.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, veçanërisht në drejtim të shfrytëzimit të përvojës së Sllovenisë si vend anëtar i Bashkimit Evropian në procesin e harmonizimit me standardet evropiane.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume