Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë emisionit “Top Tema” në TV Telma, i pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, theksoi se zgjedhjet e rregullta do të mbahen në pranverën e vitit 2028, por nëse opozita e bashkuar paraqet iniciativë për shpërndarjen e Kuvendit, ajo do të mbështetet dhe do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“A do të ketë zgjedhje të parakohshme, sot në një deklaratë timen thashë se ne kemi zgjedhje të rregullta në pranverën e vitit 2028, por nëse ka ndonjë iniciativë nga opozita e bashkuar në Kuvend, ne jemi të gatshëm ta mbështesim atë iniciativë. Ja, këtu janë partitë politike të opozitës, ato veprojnë së bashku, le të paraqesin një iniciativë të përbashkët për shpërndarjen e Kuvendit dhe ne jemi këtu. Nuk ka problem, gjithmonë do të përgjigjemi pozitivisht”, theksoi Mickoski.

Lidhur me atë nëse po krijohet hapësirë për zgjedhje të parakohshme përmes veprimeve lidhur me provimin e jurisprudencës dhe qëndrimit të ZNAM-it në lidhje me këtë çështje, Mickoski u përgjigj:

“Nuk ka nevojë ta trajtojmë këtë temë dhe të kërkojmë ndonjë konspiracion, ndonjë marrëveshje të fshehtë e të ngjashme. Është shumë e thjeshtë. Nëse duan zgjedhje të parakohshme parlamentare, opozita e bashkuar paraqet iniciativë për shpërndarjen e Kuvendit, ne e mbështesim dhe shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ne punojmë sikur të kemi zgjedhje të rregullta parlamentare në pranverën e vitit 2028. Shumë e thjeshtë. Mos kërkoni aspak teori konspirative, skenarë – se ky do të largohet, ai do të largohet.”

Mickoski shtoi gjithashtu se Qeveria punon sikur të ketë zgjedhje të rregullta, por nëse sfidohet, do të përgjigjet pozitivisht.

“Ne jemi zgjedhur nga qytetarët për katër vjet dhe punojmë me mandat katërvjeçar. Ky koalicion është zgjedhur për katër vjet, por sigurisht, nëse sfidohemi, sapo dikush të të sfidojë, atëherë duhet ta vëmë veten në provë”, theksoi Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume