Mickoski: Të vetëm kundër të gjithëve, por nuk mjaftoi për një fitore në Bërvenicë. Do ta kenë mbështetjen e Qeverisë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Komunën e Bërvenicës, ku kandidati i partisë së tij, Stojançe Radiçevski, humbi garën përballë Arkin Jahijit.
Mickoski tha se partia e tij ishte përballur e vetme me kundërshtarët, të cilët, sipas tij, kishin përdorur mbështetjen demografike, kartën nacionaliste dhe, siç u shpreh, disa “trojanë” për të tërhequr vota, njofton TS.
Ai theksoi se VMRO-DPMNE ka shënuar rritje të konsiderueshme të votave, nga 3.000 në raundin e parë në 4.200 në raundin e dytë, ndërsa krahasuar me zgjedhjet parlamentare ka fituar edhe 1.300 vota më shumë. Megjithatë, sipas tij, kjo rritje nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar fitoren.
“Faleminderit të gjithë banorëve të Bërvenicës që votuan për ne, por edhe atyre që nuk votuan. Të gjithë banorët e Bërvenicës do ta kenë mbështetjen e Qeverisë”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se koncepti i tij për “Një Bërvenicë për të gjithë” nuk është vetëm slogan, por mënyrë e funksionimit dhe e punës./TS