Çmimet po rriten, shporta e konsumit po zbrazet gjithnjë e më shumë dhe një pjesë gjithnjë e më e madhe e pagës shkon për produktet bazë ushqimore dhe nevojat e përditshme. Për qytetarët, përballimi i shpenzimeve mujore po bëhet gjithnjë e më i vështirë, ndërsa sindikatat paralajmërojnë se fuqia blerëse vazhdon të dobësohet dhe kërkojnë masa konkrete për mbrojtjen e standardit jetësor.

Opozita e akuzon Qeverinë se nuk po ndërmerr masa të mjaftueshme për të zbutur presionin e çmimeve, ndërsa nga Qeveria sigurojnë se situata po monitorohet me kujdes dhe se nuk përjashtohen ndërhyrje shtesë nëse vlerësohet se ka nevojë.

Në kushtet kur shpenzimet bazë po rriten më shpejt sesa mundësitë financiare të shumë familjeve, pyetja se sa vlen realisht një pagë po bëhet sërish një çështje qendrore ekonomike.

Prodhuesit e mishit të derrit paralajmërojnë rritje të çmimit për rreth pesë për qind në nivel të fermave, por mbetet të shihet se sa nga kjo shtrenjtim do të reflektohet edhe në çmimet me pakicë. Ndryshime të çmimeve priten edhe te vezët. Sipas paralajmërimeve, është e mundur që ato të shtrenjtohen deri në përfundimin e festave, përkatësisht deri në fund të janarit.

Ndërkohë, industria e furrave të bukës prej disa javësh paralajmëron për një rritje të mundshme të çmimit të bukës, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të energjensave.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski, deklaroi për gazetën “Veçer” se disa ekipe inspektuese janë vazhdimisht në terren dhe po e monitorojnë gjendjen me çmimet e produkteve bazë ushqimore, me qëllim që të përcaktojnë nëse ka shtrenjtim të pajustifikuar.

“Inspektorët i kontrollojnë faturat hyrëse dhe lartësinë e marzhave bruto të fitimit. Në përgjithësi, nuk ka ndryshime të mëdha sa u përket marzhave dhe, krahasuar me vitin e kaluar, ato janë pothuajse në të njëjtin nivel. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat statistikore. Gjendja me marzhat është stabile dhe nuk ka ndryshime drastike, siç kishte më parë te disa produkte të bursës. Ka paralajmërime për rritjen e çmimeve të disa produkteve, siç janë vezët, por sipas shpjegimeve të prodhuesve, arsyeja nuk janë shpenzimet e rritura, por ulja e zakonshme e rendimentit gjatë muajve të dimrit”, thotë Stojkoski.

Ai paralajmëroi edhe kontrolle të shtuara inspektuese para festave të Vitit të Ri, me fokus në parandalimin e të ashtuquajturave ulje të rreme të çmimeve.

“Zakonisht, para festave të Vitit të Ri ka ulje të mëdha çmimesh dhe aksione promocionale. Për këtë arsye, do të ketë kontrolle të shtuara inspektuese në terren, me qëllim që konsumatorët të mos vihen në lajthitje, pra të mos mendojnë se po blejnë një produkt me çmim të ulur, ndërkohë që në të vërtetë po paguajnë çmimin e tij real”, shton drejtori i Inspektoratit të Tregut.

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, konfirmoi se Inspektorati i Tregut po kontrollon të gjithë zinxhirin e furnizimit – nga prodhuesit, përmes distributorëve, deri te tregtarët, me qëllim që rritja e paralajmëruar e çmimeve prej rreth pesë për qind të mos shndërrohet në shtrenjtim prej 20 apo 30 për qind.

“Kur lëshohet urdhër për kontroll, Inspektorati i Tregut e kontrollon të gjithë zinxhirin – prodhuesin, distributorin dhe tregtarin, duke mbikëqyrur që marzha bruto e fitimit të mos kalojë 15 për qind. Do të përpiqemi t’u dalim në ndihmë qytetarëve. Nëse konstatojmë rritje të marzhave bruto të fitimit, kemi masa përkatëse me të cilat mund t’i kufizojmë çmimet”, deklaroi Durmishi.

Ish-ministri i Financave, Kiril Minoski, konsideron se nevojiten masa për parandalimin e rritjes së tepruar të çmimeve të ushqimeve, por thekson se ato duhet të hartohen me kujdes, të jenë të përkohshme dhe ekonomikisht të arsyeshme.

Sipas tij, çmimet e larta të ushqimeve godasin veçanërisht familjet me të ardhura më të ulëta, pasi ushqimi zë një pjesë të konsiderueshme të shportës së tyre të konsumit.

“Konsideroj se nevojiten masa për parandalimin e rritjes së tepruar të çmimeve të ushqimeve, por ato duhet të hartohen me kujdes, të jenë të përkohshme dhe ekonomikisht të arsyeshme. Ushqimi nuk është një produkt i zakonshëm konsumi, sepse zë një pjesë të madhe të shportës së konsumit. Kjo pjesëmarrje është proporcionalisht më e lartë sesa në vendet e tjera të rajonit dhe të Evropës. Nga çmimet e larta të ushqimeve preken veçanërisht qytetarët me të ardhura më të ulëta. Prandaj, shtrenjtimi i ushqimeve e ul drejtpërdrejt standardin jetësor dhe kontribuon në rritjen e varfërisë”, deklaroi Minoski për gazetën “Veçer”.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë paralajmërojnë se një pjesë gjithnjë e më e madhe e buxhetit familjar po shpenzohet për nevojat bazë të jetesës, ndërsa pagat po e ndjekin gjithnjë e më me vështirësi rritjen e çmimeve.

Përllogaritjet e fundit tregojnë se po rriten si shporta minimale sindikale, ashtu edhe shporta e konsumit e përllogaritur nga Qeveria, por dallimi mes tyre vazhdon të jetë më i madh se 11.000 denarë.

Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, për mbulimin e shpenzimeve bazë mujore në nëntor nevojiteshin 70.827 denarë, ndërsa sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, shporta mesatare e konsumit në tetor ishte 59.149 denarë. Nëse përfshihen edhe shpenzimet për qiranë e një banese prej 60 metrash katrorë, shporta minimale sindikale arrin në 86.202 denarë.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, thotë se standardi real jetësor nuk mund të vlerësohet vetëm përmes treguesve statistikorë dhe normave të inflacionit, por mbi të gjitha përmes sasisë së produkteve dhe shërbimeve që një punëtor mund t’i përballojë me pagën e tij.

“Nuk mund të flasim për përmirësimin e standardit jetësor vetëm përmes të dhënave statistikore dhe normave zyrtare të inflacionit. E rëndësishme është se sa produkte mund të blejë një punëtor me pagën e tij”, deklaroi Trendafilov.

Sipas tij, nevojitet mbikëqyrje më e madhe mbi formimin e çmimeve dhe marzhat tregtare, veçanërisht te produktet bazë ushqimore. Ai paralajmëron se kriza dhe rritja e shpenzimeve nuk duhet të shërbejnë si arsyetim për rritjen e pajustifikuar të fitimeve në kurriz të qytetarëve.

“Kriza, inflacioni apo rritja e shpenzimeve nuk duhet të jenë arsyetim për rritjen e pajustifikuar të fitimeve në kurriz të qytetarëve”, thotë Trendafilov.

Në Sindikatë konsiderojnë se nevojiten masa që do të kontribuojnë në ruajtjen e fuqisë blerëse dhe në uljen e presionit mbi buxhetin familjar. Ata thonë se punëtorët nuk duhet vetëm të mbijetojnë nga një pagë në tjetrën, por të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre.

Rritja e shpenzimeve të jetesës ka shkaktuar reagime edhe te partitë opozitare, të cilat vlerësojnë se shtrenjtimi paraqet një sfidë serioze për qytetarët. Ato kërkojnë kufizimin e marzhave te produktet bazë, kontrolle të shtuara inspektuese dhe mbikëqyrje më të rreptë të formimit të çmimeve, duke vlerësuar se shteti duhet të ndërhyjë më aktivisht në treg.

Ndërsa institucionet po i monitorojnë çmimet dhe paralajmërojnë masa të mundshme, për qytetarët presioni mbi buxhetin familjar mbetet një realitet i përditshëm. Dallimi mes pagave dhe shpenzimeve të jetesës po ndihet gjithnjë e më shumë në çdo blerje, ndërsa pyetja kryesore mbetet nëse politikat e paralajmëruara do të sjellin lehtësim të vërtetë për familjet.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume