Universiteti i Tetovës vazhdon t’i kushtojë një rëndësi të veçantë ndërkombëtarizimit dhe krijimit të kushteve lehtësuese për studentët që dëshirojnë të vijojnë studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një delegacion i Universitetit të Tetovës, i kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Kryetari i Senatit të UT, Prof. Dr. Kenan Ferati, realizoi një vizitë zyrtare në Universitetin Shtetëror Sam Houston.
Kjo vizitë dëshmon vazhdimësinë dhe përkushtimin për forcimin e partneriteteve, duke synuar thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar, zgjerimin e mundësive për mobilitet të studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe promovimin e shkëmbimeve kulturore. Gjithashtu, një fokus i veçantë i bashkëpunimit mbetet edhe fuqizimi i lidhjeve me komunitetin shqiptar në SHBA.
Sam Houston State University ka inicuar tashmë bursën “Bahri Fazliu (Gzimi) Memorial Scholarship”, e dedikuar për studentët shqiptarë që mishërojnë vlerat për të cilat ai besoi.
Përmes kësaj vizite, Universiteti i Tetovës synon t’i konsolidojë partneritetet ekzistuese dhe të krijojë hapësira të reja bashkëpunimi në fusha me rëndësi për zhvillimin akademik dhe institucional.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume