Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, me rastin e 3 Dhjetorit – “Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi Ndryshe” mori pjesë në eventin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në event, krahas përfaqësuesve të Qeverisë, ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues të shoqatave, persona me aftësi ndryshe, si dhe fëmijë me aftësi ndryshe të Shkollës së Mesme Shtetërore me Qendër Resursesh “Dimitar Vllahov” nga Shkupi.

Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve, Ministri Limani theksoi se kjo ditë është përkujtim për një të vërtetë të rëndësishme, se përfshirja nuk është vetëm detyrim ligjor – është obligim njerëzor dhe themeli i shoqërisë së drejtë.

Ai tha se mbi 94,000 persona me aftësi ndryshe jetojnë në vend, ndërkaq, analizat dëshmojnë se më shumë se një e treta e qytetarëve përballen me ndonjë formë të aftësisë ndryshe. Këto shifra, theksoi Limani, nuk janë statistika – ato janë përkujtim se mundësitë e barabarta duhet të jenë në zemrën e të gjitha politikave tona.

“Si Ministri, ndërmorëm hapa të rëndësishëm: përmirësuam legjislacionin, përforcuam shërbimet sociale, investuam në asistencën personale, në ndërhyrjen e hershme, në shëndetin mendor dhe në mbështetjen e familjeve. Po punojmë drejt deinstitucionalizimit, qasjes më të madhe dhe përfshirjes së vërtetë në arsim, në profesion dhe në komunitet. Por, jemi të vetëdijshëm se ka edhe shumë punë. Andaj, krijuam sistem modern dhe transparent për vlerësimin e aftësisë ndryshe, po krijojmë Regjistër Kombëtar, sistem të ri informacioni, mjete digjitale dhe teknologji asistive (ndihmëse). Po i transformojmë shërbimet aty ku nevojiten më shumë – në komunitetet lokale” – theksoi Limani.

Ai nënvizoi se “përfshirja nuk ndërtohet me dokumente – ndërtohet me rrugë të disponueshme, me klasa të hapura, me shërbime sociale që vërtet prekin ndjeshëm njerëzit, si dhe me pikëpamje që nuk dënon, por inkurajon”.

“Vendi ynë do të vazhdojë të investojë në përfshirje, jo pse është rekomandim evropian apo një detyrim ligjor, por sepse është e drejtë. Sepse çdo fëmijë me mbështetje sot, është një i ri i pavarur nesër. Çdo i ri, i cili ka mundësinë të mësojë, të punojë dhe të jetojë dinjitetshëm, është qytetar që ndërton të ardhmen e këtij vendi. Ky është vizioni që më motivon çdo ditë: një shoqëri në të cilën aftësia ndryshe nuk është arsye përjashtimi, por shkas për më shumë kujdes, më shumë solidaritet dhe më shumë humanizëm”- tha mes tjerash, Limani.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com