Ajri i ndotur – arsyeja për rritjen e personave me alergji, mjekët alarmojnë për numër gjithnjë e më të madh të pacientëve
Ndotja e ajrit po shkakton rritje të konsiderueshme të rasteve me alergji gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit. Mjekët thonë se në tre-katër vitet e fundit është vërejtur rritje drastike e pacientëve me simptoma alergjike si pasojë e grimcave të dëmshme që i thithim çdo ditë.
Dr. Dragan Gjorgjievski, specialist i mjekësisë familjare, shpjegon se situata është shqetësuese:
“Është normale të ketë alergji në pranverë, por jo edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit. Numri i rasteve është rritur për 10–15%, madje edhe 20%. Çdo vit shifrat rriten vazhdimisht. Simptomat më të zakonshme janë kruajtje e hundës, djegie ose gërvishtje e fytit – simptoma tipike për alergji, jo për ftohje të zakonshme.”
Mjekët paralajmërojnë se askush nuk është imun ndaj ndotjes së ajrit, por më së shumti preken fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Dr. Gjorgjievski shton:
“Fëmijët janë më të rrezikuar nga infeksionet respiratore. Kur thithen grimcat PM10, ato kalojnë nëpër hundë, dëmtojnë epitelin respirator dhe e bëjnë trupin më të ndjeshëm ndaj baktereve dhe viruseve.”
Përveç alergjive, spitalet po përballen edhe me rritje të rasteve me infeksione respiratore, viruse të ndryshme, pacientë me COVID dhe tashmë janë regjistruar edhe rastet e para të gripit sezonal.
Ndotja e ajrit është rritur dukshëm që nga mbrëmja e kaluar, jo vetëm në Shkup, por edhe në Veles, Kërçovë, Strumicë dhe Gjevgjeli.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane për Mjedisin, Maqedonia – së bashku me Bosnjën dhe Shqipërinë – është ndër vendet më të goditura nga ndotja e ajrit, e cila ndikon drejtpërdrejt në shëndet dhe në uljen e jetëgjatësisë së popullsisë. Raporti thekson se fëmijët mbeten kategoria më e cenueshme nga kjo situatë.