Prindërit e viktimave në diskotekën “Puls” në Koçan u mblodhën para gjykatës në Idrizovë, ku u mbajt seanca e radhës gjyqësore. Ndërsa në seancën gjyqësore ish-kryetari i Koçanit, Ratko Dimitrovski, u shpreh i befasuar, pasi, siç tha ai, kurrë nuk kishte mundur ta imagjinonte se do të gjendej në bankën e të akuzuarve për vendime të para 13 vitesh.
“Me përgjegjësi konstatoj se nuk kam kurrfarë faji për këtë ngjarje dhe do ta dëshmoj këtë gjatë procedurës.”, – deklaroi ish-kryetari i Koçanit, Ratko Dimitrovski.
Sipas Dimitrovskit, ai që në vitin 2012 ka dërguar shkresë deri te Ministria e ekonomisë, fillimisht për t’u informuar nëse diskoteka “Puls” ka licencë adekuate për punë, por, siç thotë ai, nuk ka marrë përgjigje nga ky institucion.
Më pas është bërë kontroll në lokacionin e diskotekës dhe parkingun rreth saj dhe është konstatuar se ajo ndodhet në lokacion, ku sipas planit detal urbanistik është paraparë për industri të lehtë. Ai thotë se më pas ka dërguar shkresë të re te Ministria e Ekonomisë dhe ka kërkuar që të mos i jepet licencë për punë diskotekës “Puls”.
Nuk mund të arrihet drejtësi nëse në bankën e të akuzuarve ulen persona të pafajshëm, theksoi Dimitrovski. Për pafajësinë e Dimitrovskit u shpreh edhe avokati mbrojtës.
“Për ne është e njohur se Ratko Dimitrovski është njeriu i vetëm i cili që para fillimit me punë të kabaresë ‘Puls’, e deri në momentin që punonte deri kur ndodhi tragjedia, ka paraqitur te institucioni kompetent, përgjegjës për të konfirmuar kushtet minimale teknike për të filluar me punë të objekteve të këtilla, me kërkesë konkrete, që të mos jepet licencë, që në fakt është thënë ajo që pas 13 vitesh punë të objektit dhe pas ndodhjes së tragjedisë me përmasa katastrofale, të gjithë insistojnë se është dashur të mos jepet licencë.”, – theksoi avokatja, Angella Sokollovska.
Dimitrovski akuzohet se deri sa ishte kryetar i Koçanit nuk i ka ndërmarr të gjitha veprimet ligjore për të ndaluar funksionimin e diskotekës jolegale në territorin e komunës së tij.
Fjalë hyrëse paraqitën edhe inspektorët e ndërtimit, të cilët janë përfshirë në aktakuzë. Ata thonë se nuk kanë kompetenca ligjore për të vepruar, përkatësisht për ta kontrolluar diskotekën, sepse për diçka të tillë u nevojitet urdhëresë me shkrim ose kërkesë nga qytetarët.
Por, familjarët me fotografitë e viktimave në duar theksuan se për shkak të moskujdesit institucional humbën jetën 63 persona.
“Askush nga të akuzuarit nuk u deklarua fajtor. A duhet ne prindërit e viktimave t’i kujtojmë se pse ata ndodhen në gjykatë. Asnjë nga ata nuk kishte asnjë gram ndërgjegje që ta pranojnë fajin e tyre.”, – u shpreh një familjare e viktimave.
Familjarët e viktimave thonë se do të vazhdojnë të insistojnë për drejtësi nga gjykata që fajtorët për tragjedinë në Koçan të marrin dënimin e merituar.