Fermerët nga pjesa veriore e Greqisë, përkatësisht nga rajoni i Paeonisë, ata që tashmë katër ditë i kanë parkuar traktorët e tyre në anën greke të pikës kufitare Evzoni (Bogorodicë), sot e mbyllën përsëri kufirin për trafik nga dhe drejt vendit tonë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Bllokadafilloi pak pas orës 13:00 sipas kohës lokale, kur mbërritën në pikën kufitare edhe 100 traktorë shtesë nga qyteti i Janicës, për të forcuar më tej bllokadën prej betoni.
Nuk dihet se sa do të zgjasë bllokada, duke pasur parasysh se, ashtu si në ditët e fundit, ishte i paparalajmëruar.
Gjatë ditës së djeshme, vendkalimi kufitar Evzoni për hyrje dhe dalje nga Greqia ishte i mbyllur për rreth dy orë midis orës 12:00 dhe 14:00 sipas kohës lokale, ndërsa bllokim kishte edhe në orët e pasdites.
Praktika e fermerëve, ashtu si në vitet e kaluara gjatë protestave të tyre, është të mos njoftojnë bllokadat, duke pasur parasysh se traktorët dhe mjetet bujqësore janë të parkuara në vendkalim dhe qëndrojnë aty, ndërsa në takimet e përditshme, komisionet kompetente bujqësore vendosin se kur dhe për sa kohë do të bllokojnë.
Sipas informacioneve të MIA-s, kjo praktikë ndoshta do të ndiqet në ditët në vijim, ndërsa fermerët, të paktën për momentin, nuk kanë ndërmend të dorëzohen.
Fermerët nga Greqia veriperëndimore pranë Lerinit, arritën në vendkalimin kufitar Niki (Mexhitlia) për në vendin tonë me traktorët e tyre dhe bllokuan për pak kohë trafikun.