Në periudhën e fundit prej një viti e gjysmë, përveç rikthimit në normalitet të bujqësisë maqedonase, po punojmë edhe në zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme që kanë ndodhur, sepse premtimi ndaj qytetarëve ishte se do të kontrollojmë se si ka punuar secili në të kaluarën”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në paraqitjen e tij në emisionin “Klik Plus” në TV21.

“Për dikasterin tim mund të them dhe të kujtoj se gjatë muajve të fundit kam paraqitur më shumë se gjashtë kallëzime penale kundër ish-funksionarëve në Ministri”, theksoi ministri Tripunovski.

Ai shtoi se në çdo rast apelon që të veprohet për këto raste, pasi bëhet fjalë për para të qytetarëve.

“Një nga kallëzimet e para që kam ngritur si ministër ishte për një kompani nga Strumica, e cila kishte lidhur mbi 19 kontrata me Ministrinë. Drejtori i asaj kompanie ishte më i ri se 40 vjeç dhe për këtë arsye ishte liruar nga pagesa e qirasë ndaj shtetit. Qiraja e ofruar, sipas supozimeve, qëllimisht kishte qenë më e lartë për t’u zgjedhur si ofertuesi më i favorshëm dhe për të eliminuar konkurrencën”, sqaroi ministri.

Ministri Tripunovski shtoi se gjatë kontrolleve të para në terren është konstatuar se në pjesën më të madhe toka nuk ishte punuar, ndërsa kishte edhe raste kur koncesionari ia kishte dhënë tokën me qira personave të tretë, gjë që është në kundërshtim me Ligjin.

“E njëjta kompani ishte obliguar të realizojë një investim prej mbi dy milionë e gjysmë euro. Gjatë kontrollit konstatuam se pothuajse asnjë investim nuk ishte realizuar në tokën përkatëse. Për më tepër, në këtë periudhë janë shfrytëzuar edhe mjete në bazë të subvencioneve, të cilat Agjencia e Pagesave ia kishte paguar këtij subjekti juridik”, tha ministri.

Ai sqaroi se kompania kishte marrë tokë bujqësore, nuk e kishte punuar, një pjesë të saj ua kishte dhënë personave të tretë, ndërsa në të njëjtën kohë kishte marrë subvencione në vlerë mbi 20 milionë denarë.

“Rasti i dytë i keqpërdorimit të tokës bujqësore është një subjekt që kishte kontratë të ndërprerë me Ministrinë, por nuk i ishte hequr e drejta e shfrytëzimit. Për këtë duhej të ishte njoftuar Agjencia e Kadastrës të Patundshmërive për të fshirë të drejtën e përdorimit, por kjo nuk ishte bërë. Nuk ishte njoftuar as Agjencia e Pagesave se kontrata ishte ndërprerë, prandaj kompania kishte vazhduar të shfrytëzonte subvencione për të cilat nuk kishte më të drejtë”, theksoi ministri Tripunovski.

Ministri shtoi se çdo keqpërdorim duhet të sanksionohet dhe se ai pret që organet kompetente të reagojnë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com