Fakulteti i Arteve i UT-së e organizoi punëtorinë me temë “Një dritë – shumë dritëshkrime” me fotografin e njohur Rromir Imami
Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, më 4 dhjetor 2025 e realizoi punëtorinë me temë “Një dritë – shumë dritëshkrime”, e cila iu kushtua botës së fotografisë së portretit dhe u mbajt nga fotografi i njohur me prejardhje nga Shkupi, Rromir Imami, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.
Aktiviteti u përshëndet nga dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, i cili e falënderoi fotografin Imami për pranimin e ftesës dhe gatishmërinë për të mbajtur një punëtori kaq të vlefshme në Universitetin e Tetovës.
Koordinatorja e projektit, profesoresha Jëlldëz Asani, theksoi se kjo punëtori e dedikuar për studentët dhe artdashësit, kishte për qëllim të eksploronte dimensionet krijuese dhe shprehëse të portretit. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me bazat e përdorimit të dritës natyrale dhe artificiale, pozicionimin e subjektit, zgjedhjen e sfondit dhe ndërtimin e kompozimit ideal. Programi i punëtorisë përfshiu shpjegime teorike, ushtrime praktike dhe këshilla profesionale nga vetë fotografi. Përmes eksperimentimit me dritën, teksturën, atmosferën dhe narrativën vizuale, studentët u inkurajuan të eksplorojnë identitetin, emocionin dhe historinë që një portret mund të transmetojë. Qëllimi kryesor ishte nxitja e shprehjes personale dhe zhvillimi i një stili unik brenda artit të fotografisë. Rromir Imami ka përfunduar studimet master në Komunikim Digjital për Trashëgimi Kulturore në Università della Svizzera Italiana (Lugano), si dhe ka kryer specializim profesional në fotografi portreti pranë New York Institute of Photography. Ai ka përvojë të gjerë praktike si fotograf dhe ka shërbyer si bashkëpunëtor shkencor në institucione të ndryshme në Zvicër, duke kontribuuar në projekte të rëndësishme të digjitalizimit të dorëshkrimeve mesjetare dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Në fushën profesionale, ai njihet për specializimin e tij në fotografi portreti, fotografi biznesi dhe korporatash. Ai e drejton “RRIM Photo Studio” – studio e cila njihet për krijimin e portreteve me identitet të fuqishëm vizual. Gjithashtu, Imami udhëheq Qendrën Kulturore NOMART – North Macedonian Art në Bern, që synon promovimin e artit dhe kulturës së Maqedonisë së Veriut në diasporë. Ai ka dokumentuar me mjeshtëri anëtarë të shumtë të diasporës shqiptare, duke realizuar ekspozita që sjellin në pah historitë e migrimit, identitetit dhe përvojave të komunitetit tonë jashtë vendit.
Përveç krijimtarisë artistike, ka përvojë të konsiderueshme në mësimdhënie përmes punëtorive profesionale mbi ndriçimin, kompozimin dhe postproduksionin, duke iu përcjellë të rinjve pasionin për artin e imazhit.
Në përmbyllje, pjesëmarrësit shfaqën interes dhe entuziazëm të veçantë dhe përfituan një kuptim më të thellë të portretit si formë artistike dhe teknike. Përmes kësaj punëtorie, studentët fituan njohuritë e nevojshme drejt zhvillimit të stilit të tyre fotografik.









