Në Shkup do të mbahet protesta e radhës e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), në mbështetje të ish-krerëve të luftës që po mbahen në Hagë.
Kjo protestë pritet të zhvillohet me datën 13 dhjetor, në ora 13:00, në sheshin “Skënderbeu” të qytetit, bëri të ditur nënkryetari i OVL – UÇK-së, Gazmend Syla.
Edhe pse kjo protestë po mbështetet nga Ali Ahmeti, kryetar i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ajo ka hasur në kundërshtim nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut (MV), Hristijan Mickoski.
Për këtë, nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla në një konferencë për media tha se nuk është hera e parë që një lider i shtetit maqedonas refuzon një ftesë nga organizata.
Deklaratat e Mickoski sipas Sylës nuk tregojnë unitet, por përçarje.
“Ne nuk i kemi bërë vetëm Mickoskit ftesë të marrë pjesë. Kjo është e ngjashme me deklaratat e [ish kryeministrit Ljubço] Georgievski në vitin 2001, deklarata të cilat nuk tregojnë unitet të gjitha komuniteteve që jetojnë në MV, por më shumë përçarje. Prandaj, për neve kanë qenë të papranueshme, sepse këto protesta ne i kemi bërë edhe në vende tjera, asnjëherë nuk kemi qëllim të ndikojmë në politikën e brendshme, por, të tregojmë solidaritet me bashkëluftëtarët tanë që gjenden brenda atje. Maqedonia e Veriut si shtet besoj që aspiron të hyjë në familjen evropiane, andaj është dashur që të na garantojë këtë mundësi, një e drejtë që e garanton edhe Kushtetuta atje, për një protestë paqësore”, tha ai.
Sipas Sylës, protesta ka qenë një “kërkesë e bashkëluftëtarëve, por, edhe e të gjithë shqiptareve të Maqedonisë së Veriut”.
“Më 13 dhjetor në sheshin Skënderbeu në Shkup do të mbahet protestë kundër padrejtësive që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ne, si kategori e dalë nga lufta, së bashku me kategorinë e dalë nga lufta në Maqedoninë e Veriut jemi dakorduar për mbajtjen e kësaj proteste, kemi marrë mbështetjen e Ali Ahmetit dhe të gjithë ish bashkëluftëtarëve që kemi atje”, tha ai.
Ndërsa sa i përket arrestimit të një shtetasit të Kosovës dje pasdite në Medare, nga autoritetet serbe për mbajtjen e një flamuri me logon e UÇK-së, Gazmend Syla i bëri thirrje ish-luftëtarëve të UÇK-së që të mos rrezikojnë me hyrje në territorin e Serbisë, për shkak siç tha ai Serbia nuk ka ndryshuar qëndrimet e saja që nga koha e paraluftës.
“Serbia kurrë nuk ka ndalur luftën speciale ndaj ushtarëve të UÇK-së, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë. Prandaj, kjo Serbi është e njëjta. Atëherë, Serbinë e udhëhiqte Millosheviçi, tani e udhëheq një ish-ministër i tij, Vuçiç. Ne nuk presim për ndryshime tjera ose të na respektojnë, sepse kemi parasysh edhe sa po respektojnë qytetarët e tyre atje. Ne bëjmë thirrje: Mos provoni të shkoni, sidomos ish luftëtarët e UÇK-së, sepse nuk ka kush t’ju dalë zot, s’ka kush t’ju vijë mbas. Ajo është e njëjta Serbi që ka qenë edhe para luftës edhe gjatë luftës”, tha ai.