Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në Shkup u zhvillua Forumi Rajonal “Nga politika në ndikim: avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”, nën organizimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në partneritet me Suedinë, Zvicrën, Bashkimin Evropian dhe UNOPS.
Forumin e hapi Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i cili theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë politikë e qëndrueshme shtetërore dhe standard evropian, e mbështetur në rezultate konkrete dhe jo në premtime. Në fjalën e tij, Fetai kujtoi zotimin e Qeverisë për ta trajtuar integritetin institucional si prioritet afatgjatë, duke theksuar se qytetarët presin prova të dukshme të sundimit të ligjit, rikuperim të pasurisë së përvetësuar dhe sisteme digjitale që e bëjnë korrupsionin pothuajse të pamundur.
Evenimenti mblodhi në Shkup ministra të drejtësisë dhe drejtues institucionesh nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe organizatave ndërkombëtare. Gjatë forumit do te realizohen katër sesione të fokusuara në thellimin e bashkëpunimit rajonal, forcimin e mekanizmave të llogaridhënies, shfrytëzimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në luftën kundër korrupsionit, si dhe rolin që shoqëria civile dhe media hulumtuese kanë në transparencën e financave publike dhe zbulimin e keqpërdorimeve.
Nëpërmjet diskutimeve në kuadër të forumit theksi do te bie në bashkëpunim më të efektshëm ndërkufitar, shkëmbim të inteligjencës financiare në kohë reale, standarde të përbashkëta për matjen e rezultateve antikorrupsion, si dhe krijimin e platformave të hapura të të dhënave që rrisin transparencën dhe përfshirjen qytetare. Gjithashtu, rëndësia e mbështetjes së medias hulumtuese dhe mbrojtjes së sinjalizuesve si faktor kyç për parandalimin e korrupsionit janë tema që do të shtjellohen gjatë këtijë forumi.
Në përmbyllje të evenimentit do te miratohet Deklarata e Shkupit, një dokument me angazhime të matshme për integritet, transparencë dhe bashkëpunim rajonal.
Fetai theksoi se kjo nismë do të shndërrohet në platformë vjetore ku vendet e rajonit do të raportojnë progresin dhe do të dakordojnë hapa të përbashkët për vitin vijues.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume