​Nga Behgjet Pacolli
​E pashë dhe e dëgjova kronikën tënde nga Aeroporti i Vlorës. Shpifjet e tua nuk më habisin më. Ajo që më detyroi të reagoj këtë herë është tendencioziteti yt djallëzor, i pamoralshëm dhe përpjekja e qëllimshme për të dëmtuar jo vetëm imazhin tim, por edhe veprën time të ndërtuar me shumë mund e sakrifica.
​Kjo mënyrë e të vepruarit nuk është rastësi. Është një përpjekje e vetëdijshme për të zhvendosur debatin nga problemi real – shkeljet ligjore dhe bllokimi i Aeroportit të Vlorës – drejt një narrative të fabrikuar që synon të më diskreditojë. Kjo nuk i shërben së vërtetës, nuk i shërben publikut dhe nuk i shërben gazetarisë. I shërben vetëm interesave të atyre që kanë frikë nga e vërteta dhe, ndoshta, ndonjë kocke më shumë për ty!
​Duke e njohur mënyrën se si ti vepron, pas “kronikës” tënde u interesova të kuptoj se çfarë fshihet pas këtij sulmi. Mësova se ty t’i ishin ndërprerë, muaj më parë, pagesat mujore që për vite të tëra ishin bërë nga ish-drejtori i Mabetex Holding-it, i cili sot është i denoncuar për vjedhje dhe mashtrim. Nëse kjo është arsyeja e “zgjimit” tënd, atëherë publiku e ka të qartë motivin!
​Pyetja për ndërgjegjen dhe moralin tënd
​Por dua të të bëj një pyetje që lidhet me ndërgjegjen dhe moralin tënd:
A ke respekt për prindin tënd? A të kujtohet kur, së bashku me ty, ju solla me avion privat në Zvicër, u kujdesa personalisht që t’i sigurohej trajtimi më i mirë mjekësor, ndërsa gjatë gjithë qëndrimit njerëzit e mi u përkujdesën për ju në një hotel me pesë yje? Pas përfundimit të trajtimit, ju ktheva sërish në Kosovë në të njëjtën mënyrë.
​Nuk e kam përmendur kurrë këtë, sepse ndihma nuk jepet për t’u përmendur dhe as për të kërkuar mirënjohje. Por kur dikush si TI e shkel çdo normë morale, mirësinë e zëvendëson me shpifje djallëzore, mirënjohjen me keqbërje dhe të vërtetën me intriga e konspiracione të qëllimshme për të dëmtuar, atëherë heshtja nuk është më virtyt, por do të ishte bashkëfajësi ndaj të keqes. Kur njeriu vepron pa skrupuj, pa dinjitet, pa ndjenjën më elementare të mirënjohjes dhe pa as kokrrën më të vogël të moralit, ai nuk e dëmton vetëm tjetrin; ai dëshmon para publikut varfërinë e karakterit dhe të njerëzillëkut të vet.
​Ku është morali yt? Çfarë u thua familjarëve të tu kur shohin këtë sjellje? Si ua shpjegon këtë fushatë të vazhdueshme shpifjesh ndaj një njeriu që, kur pate nevojë, nuk të ktheu kurrë shpinën?
​Dallimi mes gazetarisë dhe propagandës
​Ti, o njeri i keq, mund të vazhdosh të shpifësh së bashku me ata të sojit tënd. Ti mund të vazhdosh të ndërtosh kronika mbi insinuata e të pavërteta. Por një gjë nuk mund ta ndryshosh: njerëzit tashmë të njohin. Ata e dinë dallimin mes gazetarisë dhe propagandës, mes kritikës dhe shpifjes, mes integritetit dhe interesit.
​Për mua, problemi nuk je vetëm ti. Problemi është fakti që një pjesë e gazetarisë ka rënë në atë nivel sa të shërbejë interesa të caktuara në vend të së vërtetës. Kjo është humbja më e madhe – jo për mua, por për vetë profesionin e gazetarit.
​E ti, vazhdo me shpifjet, intrigat dhe konspiracionet tua. Unë do t’u tregoj njerëzve edhe anët e tjera të medaljes: veprimet dhe prapaskenat e tua, duke filluar nga “vizitat” e tua në Hygeia e deri te ato përtej Atlantikut.
​Ti, more manipulues, mos harro se unë çdo gjë e kam fituar me ndershmëri, ndershmëri e punë, dhe JO me shantazhe!

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume