BDI: Provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, çdo zgjidhje tjetër është në kundërshtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve
Me keqardhje përcollëm vendimin e Qeverisë për të imponuar një model të përzier, pak shqip e pak maqedonisht, për dhënien e provimit të jurisprudencës. Po e themi qartë: Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime të tilla. Jo vetëm provimi i jurisprudencës, por çdo provim tjetër shtetëror duhet të jepet në gjuhën shqipe, njësoj siç garantohet edhe për provimin për nëpunës administrativë.
Kujtojmë se Ligji për përdorimin e gjuhëve është lex specialis dhe asnjë propozim apo zgjidhje tjetër ligjore nuk mund të zbatohet nëse bie ndesh me dispozitat e tij. Modeli i promovuar nga Qeveria, pak shqip e pak maqedonisht, është dëshmi tjetër e qasjes për degraduar gjuhën shqipe dhe për ta trajtuar atë si gjuhët e tjera jozyrtare. Ne nuk jemi kundër përdorimit të gjuhëve të tjera, por insistojmë në respektimin e barazisë së dy gjuhëve zyrtare, shqipes dhe maqedonishtes. Më pas, le të avancohen edhe gjuhët e tjera, pa cenuar këtë barazi.
Dërgimi i këtij modeli në Komisionin e Venedikut është një tjetër përpjekje për të zvarritur dhe relativizuar një të drejtë të garantuar. Ligji për përdorimin e gjuhëve ka qenë objekt shqyrtimi nga Komisioni i Venedikut, i cili asnjëherë nuk ka konstatuar se përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është antikushtetues dhe nuk ka dhënë vërejtje ndaj dispozitave që garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe në dhënien e këtyre provimeve. Kjo praktikë e krijimit të pengesave për të drejtat e shqiptarëve na rikthen në metoda të tejkaluara jugosllave, të cilat bien ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe rendin kushtetues.
Është po ashtu për keqardhje të dëgjohen përfaqësues të VLEN-it të pretendojnë se gjuha juridike e gjykatave është vetëm gjuha maqedonase. I ftojmë ta lexojnë me kujdes ligjin që e solli BDI-ja, sepse neni 9 përcakton qartë përdorimin e gjuhës shqipe krahas asaj maqedonase në këtë fushë. Nëse nuk keni kapacitet t’i avanconi të drejtat e shqiptarëve, së paku mos u bëni pjesë e përpjekjeve për t’i degraduar ato. BDI-ja nuk do të lejojë cenimin e të drejtave gjuhësore dhe do të qëndrojë në mbrojtje të tyre, së bashku me të gjithë qytetarët që besojnë në barazinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.