Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale dhe ambasadorja e rrjetit rajonal
Women on Boards Adria (WOBA), Sanja Bozhinovska, mori pjesë sot në aktivitetin
“Gratë në udhëheqjen korporative: Nga njohuritë te veprimi”, të organizuar nga WOBA
në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI), kushtuar rritjes së
pjesëmarrjes së grave në qeverisjen korporative dhe në pozitat drejtuese.
Në fjalën e saj, Bozhinovska theksoi nevojën për krijimin e kushteve që gratë të mund ta
realizojnë potencialin e tyre profesional, të përparojnë në karrierë dhe, njëkohësisht, të
kenë mundësi për një jetë familjare të përmbushur, pa qenë njëra pengesë për tjetrën.
„Gratë nuk duhet të vihen para zgjedhjes mes suksesit profesional dhe familjes. Synimi
ynë duhet të jetë krijimi i një shoqërie dhe mjedisi pune që u mundësojnë të jenë të
suksesshme në të dyja rolet. Për këtë nevojiten mirëkuptim, mbështetje, mundësi të
barabarta dhe një kulturë korporative që vlerëson dijen, përvojën dhe rezultatet”, u
shpreh Bozhinovska.
Ajo theksoi se barazia gjinore nuk është vetëm çështje drejtësie, por edhe e logjikës ekonomike,
konkurrueshmërisë dhe qeverisjes cilësore korporative. Kompanitë që ofrojnë mundësi të
barabarta dhe e përfshijnë aktivisht potencialin e grave në proceset e vendimmarrjes përfitojnë
një perspektivë më të gjerë, vendime më cilësore dhe qëndrueshmëri më të madhe ndaj sfidave
ekonomike.
Ajo vuri theks të veçantë te nevoja për kritere transparente për punësim dhe avancim,
përfaqësim më të madh të grave në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse, programe mentorimi,
trajnime profesionale dhe kushte më të mira për harmonizimin e angazhimeve profesionale dhe
private.
Si ministrja e parë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Bozhinovska theksoi se
vëmendje e veçantë i kushtohet inkurajimit dhe fuqizimit profesional të grave të reja, sidomos
studenteve të fakulteteve teknike, me qëllim përfshirjen e tyre më të madhe në sektorët e
energjetikës dhe minierave, ku gratë duhet të kenë mundësi të barabarta për zhvillim dhe
udhëheqje.
Në këtë drejtim, ajo vuri në pah edhe bashkëpunimin me WOBA-n, përmes
Memorandumit të nënshkruar të Bashkëpunimit dhe pranimit të rolit të ambasadores së
rrjetit për vendin tonë, si mundësi për të krijuar më shumë hapësirë për gratë
kompetente në pozitat më të larta të sektorit korporativ.
„Barazia gjinore nuk është përgjegjësi vetëm e grave. Ajo kërkon edhe mbështetjen e
burrave, drejtuesve, bordeve drejtuese, kompanive dhe institucioneve. Na nevojitet një
mjedis ku gratë vlerësohen për aftësitë dhe rezultatet e tyre, ndërsa zhvillimi i tyre
profesional dhe personal mbështetet”, u shpreh Bozhinovska.
Ajo përfundoi se synimi nuk është vetëm rritja e numrit të grave në pozita drejtuese, por krijimi i
një sistemi ku dija, përvoja dhe potenciali i tyre udhëheqës njihen dhe shfrytëzohen plotësisht.





