Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka ndërprerë grantet, huatë dhe asistencat e tjera federale, sipas një memorandumi të qeverisë.
Në memorandum, ushtruesi i detyrës së kreut të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB) u bën thirrje agjencive qeveritare që të sigurohen që shpenzimet të jenë në përputhje me prioritetet e Trumpit.

Ndikimi i plotë i pauzës nuk është ende i qartë, megjithëse memorandumi specifikon se përfitimet e Medicaid dhe sigurimeve shoqërore nuk preken.

Bëhet e ditur se lëvizja vjen disa ditë pasi SHBA-ja ndaloi pothuajse të gjithë ndihmën e huaj, shkruan BBC.
Masa është kritikuar nga anëtarët e Partisë Demokratike rivale dhe mund të përballet me sfida ligjore.

Ndërsa memorandumi, i nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së shefit të OMB, Matthew Vaeth, u bën thirrje agjencive qeveritare që të ndalojnë përkohësisht programet e tyre të ndihmës financiare, në mënyrë që të mund të rishikojnë shpenzimet që mund të ndikohen nga urdhrat e ndryshëm që ka nënshkruar Trumpi.

Kjo përfshin “ndihmën financiare për të huaj, organizata joqeveritare, DEI, ideologjinë gjinore dhe marrëveshjen e re të gjelbër”.

Më tej, memorandumi kërkon që të gjitha agjencitë të raportojnë se cilat programe janë ndërprerë deri më 10 shkurt.

Ndryshe, Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende zyrtarisht për dokumentin e zbuluar.

SHBA është donatori më i madh ndërkombëtar i ndihmës në botë, pasi ka shpenzuar 68 miliardë dollarë në 2023 sipas shifrave të qeverisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume