Urim Saliu
Ka një ironi të madhe në politikë sepse shpesh armiku më i ashpër nuk vjen nga jashtë, por del nga rrethi që vetë e ke krijuar. Pikërisht këtë po e përjeton sot Ali Ahmeti.
Për vite me radhë, shumë aktivistë, militantë dhe votues të BDI-së kanë shprehur pakënaqësi që pranë tij mbaheshin njerëz të cilët, sipas tyre, nuk kishin ideale, por ambicie të pashuar për pushtet. Zëri i tyre nuk u dëgjua. Përkundrazi, ata njerëz u promovuan, u fuqizuan dhe u ngjitën në majat e pushtetit.
Sot, një pjesë e tyre gjenden në pozicione të larta në VLEN. Ata që dikur nuk linin kritikë pa e mbrojtur “shefin”,pra Ali Ahmetin , sot nuk lënë ditë pa e sulmuar vetë atë. Të njëjtat gojë që dikur e ngrinin në piedestal, sot përdorin fjalorin më të ashpër kundër tij. Ky është paradoksi i zgjedhjeve të gabuara politike.
Gabimi më i madh i Ali Ahmetit nuk ishte se kishte kundërshtarë. Gabimi ishte se nuk arriti të dallonte besnikërinë nga interesi. Ai ngatërroi idealin me servilizmin dhe besimin me etjen për pushtet. U dha fuqi njerëzve që, pa mbështetjen e tij, ndoshta do të kishin mbetur figura krejtësisht periferike në politikë ose më saktë një hiç.
Ndërkohë, ai la në hije njerëzit që nuk kërkonin privilegje. Nuk dëgjoi idealistin që e mbështeti BDI-në edhe kur nuk mori asgjë dhe vuante për bukën e gojës. Nuk dëgjoi militantin që priste me vite për një shërbim të vogël, ndërsa të tjerët kalonin përpara falë lidhjeve dhe favoreve. Ata u shpërfillën, ndërsa të privilegjuarit u bënë të fuqishëm.
Sot, historia i është kthyer si bumerang.
Ata që dikur ushqeheshin politikisht nga hija e Ali Ahmetit, sot e sulmojnë me një egërsi që shpesh është më e madhe se ajo e kundërshtarëve të tij tradicionalë. Çdo ditë i kujtojnë gabimet, çdo ditë e sfidojnë dhe çdo ditë përpiqen t’i rrënojnë autoritetin.
Kjo është ndoshta dënimi më i rëndë politik, pra të kuptosh se shigjetat që të godasin nuk janë hedhur nga armiqtë, por nga duart e atyre që vetë i ngrite, i promovove dhe u hape çdo derë.
Sot Ali Ahmeti po përballet me pasojat e vendimeve të veta. Ai po sheh se si njerëzit tek të cilët investoi kapitalin më të madh politik janë shndërruar në barrikadën më të fortë kundër tij.
Në politikë, gabimet paguhen. Por gabimi më i kushtueshëm është kur nuk dëgjon idealistët dhe ua dorëzon të ardhmen oportunistëve. Atëherë nuk ndërton vetëm karrierën e tyre por ndërton edhe krizën tënde.