Organet drejtuese të Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) pritet të diskutojnë javën e ardhshme për pjesëmarrjen e deputetes dhe ish-ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në aktivitetin “Biseda për të ardhmen”, ku më 1 korrik u prezantua një “platformë e re demokratike” me synimin për të nxitur debat më të gjerë shoqëror në vend.
Lajmin e konfirmoi kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, i cili tha se çështja do të trajtohet brenda strukturave partiake gjatë javës së ardhshme.
Gjatë muajve të fundit, Petrovska ka shprehur publikisht qëndrime kritike ndaj situatës brenda partisë, duke paralajmëruar se “nëse nuk ndryshojmë, do të zhdukemi”.
Filipçe, duke komentuar zhvillimet, tha se platforma e re përfaqëson një tjetër projekt politik të Hristijan Mickoski, të cilin LSDM e quan “ZNAM 2.0”, me qëllim, sipas tij, fragmentimin e opozitës dhe dobësimin e LSDM-së.
Ai shtoi se nuk dëshiron të komentojë projektet e Mickoskit, por shprehu keqardhje që disa figura janë larguar nga partia dhe ideologjia e saj, duke e krahasuar këtë me projekte të mëhershme si “ZNAM”, për të cilin tha se po dështon gradualisht.