Urim Saliu

“Sa kohë që Ali Ahmeti është në politikë, VLEN fle i qetë.” Kështu u shpreh Bilall Kasami. Një deklaratë që tingëllon e fortë, por që bie ndesh me realitetin politik të dy viteve të fundit.

Nëse VLEN do të flinte vërtet i qetë, nuk do ta niste dhe nuk do ta përfundonte pothuajse çdo ditë politike me emrin e Ali Ahmetit. Nuk do ta kishte shndërruar atë në boshtin e çdo konference për shtyp, të çdo interviste dhe të çdo sulmi politik. Askush nuk harxhon kaq shumë energji për dikë që, sipas tij, nuk përbën problem.

Kjo është arsyeja pse deklarata e Kasamit tingëllon më shumë si një përpjekje për të bindur veten dhe bashkëpunëtorët e tij sesa opinionin publik.

Ali Ahmeti, ndërkohë, nuk është në qeveri. Ai nuk emëron ministra, nuk shkarkon zëvendësministra dhe nuk menaxhon institucionet. Megjithatë, vazhdon të jetë emri që dëgjohet më shumë në deklaratat e VLEN-it. Kjo tregon se beteja më e madhe e këtij koalicioni nuk zhvillohet me problemet e qytetarëve, por me hijen politike të Ali Ahmetit.

Rikonstruimi i fundit qeveritar nuk është dëshmi force, por sinjal se diçka nuk ka funksionuar. Kur ndryshon ekipin pas vetëm dy vitesh, pranon se pritshmëritë nuk janë përmbushur. Nuk mund të kërkosh duartrokitje për zëvendësimin e njerëzve që deri dje i paraqisje si zgjedhjet më të mira.

Edhe më interesant është fakti se disa prej emrave të rinj u shfaqën në skenë me një recetë të thjeshtë: kritikuan Tiranën, protestat e shqiptarëve dhe BDI-në, e më pas u shpërblyen me poste ministrore. Kjo krijon përshtypjen se kriteri kryesor nuk ishte performanca apo profesionalizmi, por pozicionimi politik.

Ndërkohë, ata që largohen nga funksionet nuk është e sigurt se do të largohen edhe nga pakënaqësia. Çdo rikonstruim prodhon fitues dhe të humbur. Dhe shpesh, të humburit bëhen zëri më kritik brenda vetë shumicës.

Prandaj, rikonstruimi mund të jetë vetëm qetësia para stuhisë. Një përpjekje për të fituar kohë, për të krijuar përshtypjen e një fillimi të ri dhe për t’i bindur qytetarët se tani do të ndodhin ndryshimet e premtuara. Por qytetarët nuk e matin qeverisjen nga premtimet e reja, por nga ato që nuk u realizuan.

Dhe sa i përket Ali Ahmetit, një gjë duket e qartë se sa më shumë VLEN përpiqet të bindë opinionin se nuk merret me të, aq më shumë e vendos atë në qendër të debatit politik. Kjo është arsyeja pse hija e tij vazhdon ta shoqërojë VLEN-in. Jo sepse e thotë BDI-ja, por sepse e dëshmon vetë retorika e përditshme e drejtuesve të këtij koalicioni.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume