Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Në njoftim thuhet se i dyshuari Albert Sylej është arrestuar në Deçan rreth orës 23:40.

Komunikata e plotë:

Arrestohet personi i dyshuar për rastin “vrasje e rëndë” ndodhur në Vitomiricë të Pejës

Pejë, 27 tetor 2026

Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Arrestimi është realizuar sonte, rreth orës 23:40, në Deçan, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore.

Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim e ofruar për lokalizimin e personit të dyshuar.

Mbesim të përkushtuar në përmbushjen e detyrave ligjore në bashkëpunim me institucionet kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

Për veprimet e mëtejme procedurale do të veprohet në koordinim me organet kompetente të drejtësisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume